Vendosmëria e Turqisë sjell fitore të madhe në Siri

Vlerësim i akademikut turk, Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara...

Pas deklaratës së bërë më 19 dhjetor 2018 nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, ekuacionet në Siri filluan të riformohen sërish. Në procesin që çoi në deklaratën e Trumpit, tërheq vëmendjen vendosmëria e Turqisë. Pas deklaratës së Presidentit Recep Tayyip Erdogan për operacione ushtarake ndaj zonës lindore të lumit Eufrat, Forcat e Armatosura të Turqisë së bashku me Ushtrinë Kombëtare, me të cilën Turqia bashkëvepron në Siri, përshpejtuan përgatitjet e tyre për operacion. Forcat Ajrore të Turqisë ndërmorën operacione edhe ndaj organizatës terroriste PKK në Irak. Goditja e strofkave të organizatës terroriste në malin Sinxhar, në afërsi të kufirit Siri-Irak, si dhe e kampit Mahmur në malin Karakaçak, ishin tregues të vendosmërisë së Turqisë në këtë drejtim.

Gjatë bisedës telefonike të realizuar më 14 dhjetor 2018 mes Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ky i fundit vendosi të tërheqë trupat amerikane nga Siria. Në kuadër të bisedës telefonike, Presidenti Trump kërkoi nga Presidenti Erdogan që Turqia të marrë përsipër luftën kundër DAESH-it, gjë që u pranua nga Presidenti Erdogan.

Shpallja e vendimit të tërheqjes nga Siria të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri jehonë të madhe në institucionet amerikane, në Siri dhe në shkallë globale. Pas kësaj, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dhe përfaqësuesi special i ShBA-së në luftën kundër DAESH-it, Brett McGurk, dhanë dorëheqjen. Vendimi i ShBA-së për tërheqje nga Siria bëri që pjesëtarët e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK ta kritikojnë këtë vendim duke thënë se “ShBA-ja i nguli thikën pas shpinës”.

Pritet që vendimi i Presidentit Donald Trump për tërheqje nga Siria të ndryshojë në masë të madhe ekuilibrin në këtë vend. Çështja se kush do ta mbushë vakumin që do të krijohet me largimin e ushtarëve amerikanë nga Siria, është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi. Ndërkohë që tërheqja e ushtarëve amerikanë u hapë rrugë operacioneve të Turqisë ndaj YPG/PKK-së, do të jetë e mundur që edhe regjimi i Esadit, i mbështetur nga Rusia dhe Irani, të vendoset në zonat e zbrazura nga ushtarët amerikanë. Prej formimit të saj e këtej, organizata separatiste terroriste PKK ka marrëdhënie me regjimin e Esadit, i cili në fillim të luftës civile në Siri i dorëzoi YPG-së tri zona në kufi me Turqinë. Në anën tjetër, gjatë bisedimeve të zhvilluara mes dy palëve, YPG-ja kërkoi autonomi pas disa fitoreve në terren, kërkesë kjo që u refuzua nga regjimi i Esadit. Së bashku me tërheqjen e ushtarëve amerikanë do të rriten edhe kërkesat e regjimit ndaj YPG-së dhe kjo situatë do të vështirësojë marrëveshjen mes dy palëve përballë Turqisë. Gjithashtu e rëndësishme do të jetë se si do ta shikojnë Rusia dhe Irani ndonjë marrëveshje të mundshme ndërmjet regjimit të Esadit dhe YPG-së.

Me qëllim të pengimit të një marrëveshjeje të mundshme mes YPG-së dhe regjimit, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të koordinojnë së bashku tërheqjen e ushtarëve amerikanë. Në një deklaratë që Presidenti Donald Trump bëri përmes medias sociale, thuhet se tërheqja e ushtarëve amerikanë nga Siria do të jetë e ngadalshme dhe do të koordinohet në nivel të lartë me Turqinë, gjë që do të jetë e rëndësishme për të parandaluar që zonat e zbrazura të mos mbushen nga fuqitë e tjera./TRT