Zgjedhjet lokale në Turqi, një leksion demokracie

Nga Redi Shehu

Zgjedhjet lokale të 31 Marsit në Turqi, ishin krejt të veçanta për shkak se shënuan një ndryshim të rezultateve që jemi mësuar të paktën për 22 vite t’i shohim. Triumfi elektoral i AKP si lajtmotiv prej 2002, u trondit dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale. “I bindem vullnetit të popullit”, “e morëm mesazhin”, “do riniovojmë veten dhe do kompensojmë gabimet tona” duke “forcuar lidhjet me njerëzit”, këto ishin deklarata e para të liderit historik të AKP, Rexhep Tajip Erdogan, i cili i vënë për herë të parë pas më shumë se dy dekadash në një pozitë të vështirë nga partia e tij, jep sinjale për një ribërje totale të gjërave brënda saj. Vitin që shkoi në zgjedhjet presidenciale të 2023-shit, Erdogan rikonfirmoi veten edhe pas 22 vitesh si një lider karizmatik dhe të votuar nga zgjedhësit, atë që bëri Erdogan një vit më parë nuk e bëri dot partia e tij, duke treguar një diferencë të madhe mes votës individuale për Erdogan dhe votës për AKP. Sa herë që Erdogan fitonte me karizmën e tij, tërhiqte edhe partinë nga pas në fitoret e radhës. Zgjedhjet e fundit lokale, treguan se diferenca e madhe mes liderit të partisë dhe vetë partisë, përbën një hendek i cili nëse nuk mbushet shpejt dhe me cilësi, rrezikon të dëmtojë vetë votën personale të Erdogan në të ardhmen.

Ana më komike dhe në të njëjtën kohë shqetësuese e kësaj ngjarjeje elektorale në Turqi, është reagimi nga shtypi ndërkombëtar i cili edhe pse duke e parë në kohë reale festivalin e demokracisë turke, i denjë për shumë vende të konsoliduara demokratike, vazhdonte me retorikën e autokratit dhe diktatorit, duke zhvlerësuar vetë konceptin për median dhe lirinë e saj për të gjurmuar të vërtetën. Për një gjë duhet të biem dakort nëse duam të analizojmë zgjedhjet lokale të 31 Marsit në Turqi, që analiza nuk mund të fillojë pa u bazuar në dy premisa të rëndësishme. E para, që këto jane zgjedhje lokale dhe duhen trajtuar si të tilla me gjithë mesazhin politik që mbartin, dhe premisa e dytë është se duhet të ndajmë një herë e mirë që Turqia është një demokraci vibrante dhe konkuruese. Nëse nuk nisemi mbi këto premisa e gjithë analiza rrezikon të shkërrmoqet në inate apo shfryrje epshesh politike.

Padyshim që zgjedhjet lokale në Turqi u humbën nga AKP dhe kjo ngjarje duhet parë si një nxitëse drejt përmirësimit dhe shkundjes, e cila pas 22 vitesh në pushtet është mëse e domosdoshme. Padyshim që pjesa më e madhe qyteteve metropolitane, dhe provincave të mëdha u humbën, por ama nga ana tjetër vota politike e koalicionit të zgjedhjeve presidenciale AKP +MHP+YRP, është aty dhe në total është më e madhe se vota CHP+DEM+IYI. Pra, me logjikën e zgjedhjeve presidenciale të koalicioneve, humbja nuk përceptohet si e tillë, ama në logjikën e zgjedhjeve lokale, ku aleanca e vjetshme nuk u realizua, AKP-së i ikën 7% të votuesve të vet krahasuar me zgjedhjet e 2019-tës, drejt partive aleate si YRP ose nuk dolen fare në votim. Mos të harrojmë se krahasuar me zgjedhjet e vitit të shkuar presidenciale ku pjesmarrja ishte mbi 87% në zgjedhjet lokale ishte diku tek 77%. është e kuptusheme që zgjedhjet lokale impenjojnë më pak njerëz të dalin në votime, por jo me kaq diferencë prej 10%. Mendoj se për të analizuar humbjen e zgjedhjeve të fundit nga ana e AKP, duhet përqëndruar në të gjeturit arsyeve se pse AKP humbi 7% të mbështetësve të vet dhe pse dolën më pak votues në zgjedhje, ku pjesa më e madhe e tyre mendohet se ishin mbështetës të AKP?

Janë dy arsye themelore që shkaktuan një rezultat të tillë, përfshirë edhe pamundësinë e koalicionit paraelektoral. E para, është arsyeja ekonomike dhe e dyta është ajo politike. Përsa i përket ekonomisë, duhet thënë se lufta financiare për të përmirësuar gjëndjen ekonomike ka filluar që në 2018-tën, por Covid-19 e kthehu atë në një situatë emergjence me prioritete të tjera që ndikoi të gjithë globin, Lufta në Ukrainë me të gjithë kompleksitetin dhe bllokadën e saj ekonomike si dhe tërmeti katastrofik i dyfishtë në 11 proinca të mëdha ku u shkatërruan qyetete dhe territore sa i gjithë Ballkani marrë së bashku, i kushtuan qeverisjes qëndrore një buxhet prej rreth 150 miliarde dollarësh. Gjithashtu prezenca e pesë milion emigrantëve sirianë të cilët tashmë u integruannë ekonominë turke duke ulur koston e krahut të punës dhe rritur papunësinë e punonjëve vendas, krijuan një pakënaqësi jo të vogël. Shtuar këtu edhe çështjen e 2.5 milion pensionistëve të parakohshëm të cilët pas një debati të gjatë u futën në skëmën e pensioneve duke fryrë tejmase barrën fiskale te qeverisjes ndaj situatës ekonomike në vend.

Arsyeja e dytë, ajo politike, bazohet mbi faktin që pushteti i gjatë konsumon çdo lloj force politike sado e mirë që të jetë ajo. Këto zgjedhje nxorën në pah faktin se AKP kishte humbur lidhjet me njerëzit duke krijuar mure ndarëse me ta. Gjithashtu, i gjithe rrjeti kapilar i partisë kishte rënë në një apati dhe mos rinovim, sa brezi i ri nuk e gjente veten në të. Fakti është që vetëm 20% e votuesve të rinj kanë votuar AKP, duke ngritur alarmin për nevojën e një fluksi të ri të figurave dhe mendësive të reja brënda partisë në pushtet. Një tjetër arsye politike e zhvendosjes së pothuaj 6% të zgjedhësve nga AKP tek YRP e Fatih Erbakam, është gjuha populiste që ky i fundit përdori lidhur me çështjen e ndjeshme të Gazës. Shumë votues të AKP duke përceptuar qëndrimet e AKP ndaj Gazës jo si metoda politike për një rezultat afatgjatë, por si një apati dhe mpirje, diversifikuan votën drejt YRP duke zvogëluar fuqinë elektorale të AKP në shume provinca kryesore dhe në të njëjtën kohë rritur artificalisht CHP-në. Kurse kjo e fundit pati nje rritje prej 7.7% jo si CHP, sepse si e tille ajo ka ngelur në të njëjtin nivel, por si rezultati marrëveshjes me DEM dhe IYI të cilët votuan kandidatët e CHP në metropolet dhe provincat e mëdha. Pra, aleanca kemaliste arriti të merrej vesh në këto zgjedhje, ndërkohë që aleanca e krahut konservator hyri e përçarë, dhe rezultati tashmë dihet.

Por fitorja më me madhe në këto zgjedhje në Turqi është firtorja ndaj propagandës dashakeqëse dhe manipulative ndërkombëtare ndaj demokracisë turke. Që nga zgjedhjet lokale të 2019-tës për të vijuar me zgjedhjet presidenciale të 2023-shit ku Erdogan kaloi në balotazh në raundin e parë dhe për të përfunduar në këto zgjedhje lokale të 2024, shembujt e qartë të të treguarit se Turqia është një demokraci vibrante, reale dhe konkuruese, janë të pamohueshme. Vërtet AKP u mund në këto zgjedhje lokale, por shpresa që ajo ta marrë veten këto katër vitet ardhshme qëndron e lartë. Po si t’ia bëjmë humbjes spektakolare të establishmentit ndërkombëtar në lidhje me Turqinë dhe demonizmin e saj në botë si vatra e diktaturës dhe autokracisë. Kësaj humbje imazhi dhe besueshmërie ndërkombëtare nuk ka se çfarë t’i bëjë askush.