Dhuna ndaj grave nuk është problem kulturor, është botëror

Në debatet e shumta të cilat kanë karakterizuar shoqëritë moderne, padyshim që një vend jo pak të rëndësishëm ka zënë debati mbi dhunën ndaj gruas. I artikuluar kryesisht nga grupe interesi për të drejtat e grave, ky debat është institucionalizuar në nisma ligjore  deri në vendosjen e përqindjeve të detyrueshme për pjesmarrjen e gruas në institucionet vendimarrëse. Ajo që është vërejtur në këtë lëvizje, krahas përpjekjeve lavdëruese për të shmangur dhunën dhe trajtimin dinjitar të gruas, është parë edhe izolimi i çështjes së dhunës vetëm brënda përjekjeve për barazi gjinore duke e keqvendosur kauzën në thjesht ndërgjegjësimin e ekzistencës së gruas si qënie dhe jo në përparësitë, kontributet apo prurjet e  mundshme të saja në hapësirën publike.

Ajo çka e bën kauzën e luftës kundra dhunës ndaj grave, një çështje të veçuar dhe prioritare në raport me tipologjitë e tjera të dhunës,  është fakti se dhunimi i grave, së pari është një problem me shtrirje globale dhe së dyti boshti i kësaj dhune shtrihet as më shumë e as më pak se sa tek ndryshueshmëria seksuale mes dy qënieve njerëzore të konceptuara të barabarta në qasjen e tyre ndaj barazisë. Pra, një qasje mes krijesash të barabarta në vlera dhe trajtim, në shanse dhe probabilitete që ato duhet të kenë. 

Dhunën ndaj grave e shohim të grupuar në disa tipologji, ku më e përhapura është dhuna shtëpiake ndaj tyre e shkaktuar nga bashkëshortë të dhunshëm. Pastaj vjen dhuna seksuale përmes përdhunimeve dhe shantazheve e shkaktuar në formë fizike apo psikologjike. Duke  përfunduar me  format e organizuara të dhunës përmes trafikimit dhe prostitucionit. Në vetvehte, këto forma të dhunës janë të grupuara në disa tipe  të dhunës të cilët fillojnë që me dhunuesin individual, dhunuesin që ndodhet në marrëdhënie me viktimën, dhunuesin si komunitet. 

Dhuna individuale karakterizohet  kryesisht në marrëdhëniet martesore apo në çift e cila vjen si formim i dhunuesit në periudhën e adoleshencës së tij apo në marrëdhëniet e tij me familjen kur ai ka qenë i vogël. Shtuar kësaj edhe përdorimin  e alkoolit apo substancave të tjera narkotike, e bëjnë dhunën e tij sistematike. Dhuna në marrëdhënie është tipikisht ajo dhunë ku burri merr rolin e shkaktarit të konfliktit fizik i cili pasohet më pas në formë progresive në shumë konflikte të tjera që shkatërrojnë lidhjen mes tyre. Dhunuesi si komunitet, është forma se si  komuniteti ushtron dhunë ndaj gruas përmes përdorimit të saj, presionit psikologjik, sociopatisë kolektive ndaj qënies së saj e kështu me radhë. Në fakt, dhuna ndaj grave duhet konsideruar si problem publik dhe jo privat sepse gruaja dhe dinjiteti i saj, janë e mire publike e cila reflekohet në familje si esenca e shoqërisë sonë.

Fatkeqësisht në formë të strukturuar ose jo, përhapet një tendencë kur bie fjala për artikulimin e dhunës, tendencë e cila e karakterizon dhunën si pjesë e kulturës shqiptare. Këtu kemi një problem sepse  së pari, duam të shfajësojmë individin duke fajësuar mjedisin dhe kulturën, e së dyti, ajo që është më e rëndësishme është fakti i rrëshqitjes në një rracizëm kulturor duke diferencuar kulturat e popujve në të dhunshme dhe jo. Nëse e konsiderojmë dhunën krim, atëhere me pohimin e mësipërm ne njesojmë krimin me kulturën. Kjo është tipikisht një qasje e cila i përket esencializmit kulturor, i cili përcakton kulturat dominante si kultura më të mira e të homogjenizuara dhe kulturat e tjera inferiore si  “Tjetri” i demonizuar i dhunshëm dhe heterogjen. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë, sepse fenomeni idhunës ndaj grave është proporcionalish i përhapur globalisht me intensitet të njëjtë edhe në boshtet dominante qytetërimore si Sh.B.A dhe Evropë.

Dhuna ndaj grave është një fenomen endemik i cili nuk njeh kultura dhe territore por njeh vetëm padrejtësinë ndaj një qënieje si gruaja e cila gëzon një status gati hyjnor paprekshmërie. Paprekshmëria e gruas shqiptare në rastin konkret, është cënuar sepse ne jemi dhe aktualizohemi përditë brënda një problemi të madh i cili është problem që ne kemi  me lirinë dhe moralin e vetë lirisë. Ne e konceptojmë lirinë pa kufinj dhe një liri pa kufinj është një liri e pamoralshme e cila është e gatshme të cënojë paprekshmërinë e pronës, dinjitetit, nderit dhe fizikut të secilit. Jo vetëm kaq, por amortizatorët socialë tonët të cilët supozohet të ruajnë dhe mbrojnë shoqërinë nga goditjet, janë tashmë të dalë jashtë loje. Arsimi, religjioni, familja, institucionet, shoqëria civile, mediat etj, janë hallka të cilat ndërtojnë individë të përshtatshëm, virtuozë për një shoqëri rendin dinjitoz të së cilës të gjithë e duam. Ndaj shërimin e dhunës ndaj gruas duhet ta kërkojmë në forcimin dhe kthimin e këtyre hallkave në qënësinë dhe autoritetin që u takon.