AstraZeneca tërheq vaksinën disa muaj pasi pranoi efektet anësore

Kompania farmaceutike britaniko-suedeze AstraZeneca ka njoftuar se do të tërheqë vaksinën e saj Covid-19 disa muaj pasi pranoi në një gjykatë në Londër se vaksina mund të shkaktojë efekte anësore të rralla dhe të rrezikshme.

Vaksina nuk mund të përdoret më në Bashkimin Evropian, pasi kompania tërhoqi vullnetarisht autorizimin e saj të marketingut. Kërkesa për tërheqjen e vaksinës është dorëzuar më 5 mars dhe ka hyrë në fuqi të martën.

Aplikime të ngjashme do të bëhen në muajt e ardhshëm në Britaninë e Madhe dhe vende të tjera që kanë miratuar vaksinën, e njohur si Vaxevria.

AstraZeneca tha se vaksina u hoq nga tregu për arsye komerciale dhe se nuk prodhohet më dhe nuk furnizohet më, pasi është zëvendësuar me vaksina të përditësuara që janë efektive kundër shtameve të reja të Covid-19, transmeton Telegrafi britanik.

Vaxevria është vënë nën një shqyrtim intensiv muajt e fundit për shkak të një efekti anësor shumë të rrallë, i cili shkakton mpiksje gjaku dhe numërim të ulët të trombociteve në gjak. AstraZeneca pranoi në dokumentet gjyqësore të paraqitura në Gjykatën e Lartë në Londër në shkurt se vaksina “mund, në raste shumë të rralla, të shkaktojë TTS”.