Miku i mirë në kohë të vështirë

Nga Malik Hasa

Ne shqiptarët, populli i besës, sakrificës dhe simboli i mundimit e sakrilegjit sikurse ishim dje jemi sot në gjendje të vështirë dhe gjasat thonë që do të vazhdojmë të mbetemi në gjendje të vështirë edhe pse shpresa nuk vdes kurrë…

Në 45 vite punuam për një qeverisje e cila na burgosi, na dhunoi, në plaçkiti, e na batërdisi duke shpikur çdo ditë një armik imagjinar. Me shembjen e këtij mjerimi dhe ngritjen e studentëve kuptuam që shpresa, qiriu që digjet vetë që ne të jemi më mirë, nuk na kishte humbur.

E megjithatë si vetë fjala ‘çudia më e madhe zgjat vetëm 3 ditë’ kjo gjë u harrua. Vendin ja la një sistemi të ri, emri i të cilit ishte ‘të punojë populli që të hanë pushtetarët’. Plot 28 vite kaluan dhe për fat të keq sot jemi ende në një udhëkryq. Edhe pse në një ‘ringritje të studentëve’ këtë herë ata që dikur u quajtën shpresë duket se janë një qiri që nuk i ka mbetur fuqi të mbajë veten më këmbë e jo më të ushqejë një ndryshim, kjo jo për fajin e tyre, por për fajin e sistemit gllabërues i cili paska qenë edhe më i egër se ai i komunizmit.

Në vende që janë në gjendje të tillë zakonisht operojnë organizata të ndryshme humanitare dhe agjenci të ndryshme që ofrojnë ndihmë materiale dhe teknike për tejkalimin e situatave. Në Shqipëri realisht ka shumë prej tyre, shumica e të cilave kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të harxhimit pa kriter apo keqpërdorimit të fondeve.
Që prej krijimit të saj në Shqipëri në vitin 1996 Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar më shumë se 450 projekte në fusha të ndryshme si infrastrukturë, shëndetësi, arsim, kulturë, etj.
Kur Turqia me praninë e saj në Shqipëri kritikohet në fakt askush nga kritikuesit nuk di se çfarë bën ky vend këtu.

Dhjetëra qendra shëndetësore, dhjetëra projekte në spitale të ndryshme të vendit, dhjetëra projekte në arsim si kabinete, salla konferencash apo konvikte janë restauruar apo ndërtuar nga Agjencia TIKA. Edhe pse këto projekte nuk dihen shumë nga opinioni publik ky shtet, pra Turqia në fakt nuk është se i ka kushtuar shumë rëndësi kësaj pjese pasi ecën me parimin e ndihmës ndaj një miku sikurse është Shqipëria.
Rikonstruksioni i plotë i konviktit në Skrapar, objekt ky që nuk është momunment kulturor, por që kishte nevojë imediate për ndërhyrje apo dhe puna e nisur në Qytetin e Studentit për rikonstruksionin e godinës numër 6, janë disa nga projektet e rëndësishme që kjo Agjenci është duke realizuar. Edhe pse kohës së përshtatshme ku një punë e tillë duhet të bënte bujë ne media, ajo nuk përflitet fare.

Edhe pse rregulli i pashkruar i miqësisë së përjetshme thotë që ndihma e dhënë nuk përflitet dhe se në fakt miku i mirë në kohë të vështirë duket, e ndiej për detyrë që këta rreshta ti shkruaj dhe ti sjell në vëmendje për të gjithë ata që nuk reshtin së kritikuari dhe ofenduari një mik kaq bujar dhe të sinqertë si Turqia.