Biznesi i librit përballë tkurrjes së leximit

Problematikat e tregut vijojnë të ekzistojnë, si barra fiskale në prodhim, mungesa e subvencionit dhe rrjeti i çalët në shpërndarje. Megjithatë, botuesit flasin me nota pozitive për të ardhmen e afërt, kjo duke iu bashkangjitur një nxitjeje të shitjeve të librave online. Një tjetër vështirësi është krijimi i një strategjie të mirëfilltë të orientimit të librit te lexuesi

Nga Deada Hyka

Anketa e INSTAT në gusht të këtij viti bëri jo pak bujë, e cila përllogariste se rreth 1 milion shqiptarë nuk kishin lexuar asnjë libër vitin e shkuar. Këto statistika iu bashkëngjitën zërit të botuesve për krijimin e një strategjie të mirëfilltë për të nxitur leximin, për të çuar librin te lexuesi në formën dhe kohën e duhur, për të edukuar brezin e ri që të duan librin në vorbullën e teknologjisë në të cilën ata ndodhen.

Gjatë Panairit të 21 të Librit në kryeqytet, mjafton që të ndalje në stendat e shumta të librit që të dëgjoje ‘ankesat’ e përhershme të botuesve: duhen taksa më të ulëta në prodhim, si në tregun europian që është vetëm 5%, një nevojë në rritje në shtimin e librarive, përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, bashkëpunimin më të ngushtë me shkollat, fakultetet, që të mund të flasim për një industri të mirëfilltë të librit.

Këtë vit, botuesit theksonin marketimin e librit si një nevojë në rritje, përqafonin idenë e shitjes online shumë më tepër se vitet e mëparshme, duke mos harruar subvencionimin për bibliotekat publike. Por shqetësimet e tyre nuk përfundojnë këtu. ‘Nuk ke nevojë t’i djegësh librat për të shkatërruar kulturën. Vetëm bëjini njerëzit që të ndalin leximin e tyre. (Ray Bradbury)’, është një shprehje që botuesit përsërisnin…

 

Treg i vështirë

Sektori i tregut të librit, duke qenë se nuk është një fushë që ka të bëjë me mbijetesën, por me argëtimin, shfaq tendenca rënëse për sa kohë që ka kriza apo pasiguri. Shpeshherë, sipas botuesve, sa herë ka ngjarje politike apo çështje të ngjashme, lexuesit priren të mos shpenzojnë në atë që konsiderohet “jo thelbësore”.

Këtë fakt, e vuan libri. Nga ana tjetër, botuesit ritheksuan faktin se duhet të ketë një politikë më të favorshme fiskale për ta, duke marrë shkas nga ajo europiane, që në prodhim taksa është vetëm 5%, ndërsa në Shqipëri shumë më e lartë. Kërkesa për ulje takse është një refren që shtëpitë botuese e përsërisin në panair çdo vit. Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari. Të pakta janë në Tiranë, ende më rrallë (ose fare) në rrethe të tjera.

Botuesit thonë se libri, edhe pse për të investohet që të jetë cilësor, është lënë në mëshirë të fatit. Me librari që po rëndohen nga amortizimi, duke mos pasur mundësi të mbajnë shumë libra, lexuesi “humbet” çfarë ka tjetër dhe nuk di ku të drejtohet apo e humb interesin rrugës. Një fakt për këtë është fluksi i vizitorëve në Panair dhe shitjet e shumta gjatë tyre. Sipas botuesve, panairi nuk është vetëm nxitës në aspektin ekonomik, që përmes uljeve, fton njerëzit që të blejnë libra. Por, panairi është ambienti i vetëm që përfshin shumë libra njëkohësisht dhe njerëzit vijnë që të shohin libra, sepse në librari nuk munden ta bëjnë. Libri nuk është i ekspozuar siç duhet në librari dhe kjo e fundit ka investimin minimal për të qenë një e tillë.

 

Shitjet online

Në ndryshim nga panairet e shkuara, këtë vit të gjithë shtëpitë botuese kishin qasje më të hapur ndaj idesë së shitjes së librit online. Vrulli teknologjik dhe përfshirja e shumë njerëzve në to, aksesi në rrjete sociale, të gjitha këto kanë bërë që të konsiderohet marketingu dixhital si forma për tërheqjen e lexuesve-klientë.

Albert Gjoka, nga Bukinist, pohon për “Monitor”, se platforma që realizon shitjet online të librit fizik (pra jo e-libra) ka arritur mbi 10 mijë përdorues, pra klientë dhe kjo shifër dëshmon nevojën në rritje të shitjes së librave, jo më në kanalet tradicionale.

“Kërkesat kanë qenë të shumta, brenda dhe jashtë Shqipërisë. N.q.s do t’i bënim një ndarje gjeografike, 60% e kërkesave janë nga Tirana, rreth 15% nga jashtë Shqipërisë, pjesa që mbetet janë nga rrethet. Si çdo shërbim tjetër komercial, edhe libri shkon te lexuesi aty ku ai është, në rrethe dhe Tiranë pa kosto shtesë transporti”, – tha z. Gjoka. Sa u përket formave të pagesës, shqiptarët i qëndrojnë besnikë cash-it në masën 80% por, sipas z. Gjoka, edhe kjo qasje po ndryshon, duke qenë se janë shtuar klientët që paguajnë përmes paypal.

Ai thekson se marketingu dixhital është e ardhmja që do të nxiste zhvillimin e këtij tregu në Shqipëri. “Më duhet ta pranoj që Bukinisti është investitori i parë që operon në këtë drejtim. Unë e shoh të mundur që jemi një hapat e parë, pozitivë në krijimin e disa standardeve për marketimin dhe menaxhimin e librit”, – pohoi z. Gjoka.

 

Shoqata e Botuesve: Duhet një strategji e qartë për nxitjen e leximit

Gjatë ditëve të Panairit u organizuan seminare dhe konferenca të shumta, të cilat u fokusuan te problemi i leximit në Shqipëri, sidomos te lexuesit e rinj.

Çfarë mungon në këtë drejtim? – shtron pyetjen Shoqata e Botuesve të Shqipërisë. Sipas SHBSH, duhet investuar për leximin, për të cilin ndikon roli i shkollës dhe i shtetit, shoqërisë etj.

Shoqata u ndal edhe te bibliotekat e libraritë. Sipas saj, ka ende nevojë, nga pushteti qendror dhe ai lokal, për të investuar në infrastrukturën e nevojshme për libraritë. Sipas të dhënave të SHBSH, qytete të mëdha janë ende pa librari. Durrësi, shumë pranë kryeqytetit, ka vetëm një të atrofizuar.

“Dua të nënvizoj patjetër disa projekte të Ministrisë sonë të Kulturës, për përkthimin nga gjuhët e huaja në shqip, nga shqipja në gjuhë të huaj dhe të autorëve shqiptarë gjithashtu. Disa lëvizje dhe nisma për të nxitur leximin, si ajo “Takohemi për një libër” etj., dhe pasurimin e disa bibliotekave janë punë që duhen lëvduar e mbështetur.

Nëpërmjet Lëvizjes Kombëtare për Lexim, po synohet të pasurohen biblioteka në 12 qytete, gjë që duhet përshëndetur, por duke kërkuar të përmirësohet bashkëpunimi me Shoqatën e Botuesve, qoftë për veprimtaritë librore brenda dhe jashtë vendit. Duket se Ministria e Kulturës ka një pikëvështrim të qartë për punët me librit, por ne theksojmë që duhet punuar më shumë për rritjen e buxheteve dhe përqendrimin e tyre, qofshin edhe ato lokale, për bibliotekat provinciale sidomos”, – tha z. Petrit Ymeri, kreu i SHBSH.

Z. Ymeri nuk la larg vëmendjes edhe çështjen e barrës fiskale, për të cilën ka përsëritur prej vitesh kërkesën e të gjithë botuesve. “Një detyrim i Ministrisë së Kulturës është që, së bashku me ne të këmbëngulim për të ulur në minimumin e vendeve europiane TVSH mbi librin, e cila është anormale dhe shumë e lartë. Kërkojmë që të jetë në kufirin 4-6% dhe me cikël të mbyllur”, – tha ai.

Kreu i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë theksoi se duhet gërshetuar dhe mbështetur kontributi i të gjithë aktorëve të librit në vend, duke vepruar si horizontalisht me të gjitha strukturat publike apo private, por edhe në mënyrë transversale. Z. Ymeri përmendi në veçanti, përfshirjen në Creative Europe, që ka qenë një shtysë shumë e mirë për një punë serioze, por edhe një shenjë e dukshme e profesionalizmit të botuesve shqiptarë që janë vazhdimisht fitues të projekteve të përkthimit dhe që ka ndihmuar në njohjen e letërsisë dhe kulturës së mjaft vendeve europiane në vendin tonë./Monitor

 

Shqipëria, probleme të vjetra, Europa fokus të ri

Tregu europian i librave është rritur që nga viti 2007 kur Amazon nisi shitjen e Kindle origjinal. Gjatë dhjetë viteve deri në 2017, shumë kompani filluan të shisnin libra dixhitalë, revista dhe gazeta. A keni menduar ndonjëherë se cilat tregje të BE-së kanë depërtimin më të lartë të librit elektronik dhe sa të ardhura gjeneron?

Teksa Shqipëria ende diskuton uljen e TVSH-së për botuesit dhe funksionimin e këtij tregu si cikël i mbyllur, Europa këtë vit arriti marrëveshjen për uljen e TVSH edhe për librin elektronik, në masën 5%. (më parë ishte 25%)

Sipas një raporti të fundit të Federatës Europiane të Botuesve, vlerësohet se e-libra tani përbëjnë 7% të tregut botëror të botimeve në Europë, me dallime të mëdha midis vendeve. E-libra kanë kaluar shumë kohë që nga 10 vjet më parë, kur ato ishin pak më shumë se një risi interesante, madje edhe që nga 5 vjet më parë – në vitin 2011 ata përfaqësonin jo më shumë se 1% të tregut të librit kudo (përveç Mbretërisë së Bashkuar, ku shitjet e librit ishin 4% të totalit).

Megjithatë është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet tregu i librave elektronikë në vitet e ardhshme, pasi kemi kaluar disa data në të cilat ishte parashikuar ‘vdekja e letrës’: ajo që është e sigurt është se shumë do të evoluojë, do të varet nga preferencat e lexuesve dhe se mbështetjet e ndryshme, formatet dhe modelet e biznesit me siguri do të bashkë-ekzistojnë për të ardhmen e parashikueshme.

Mesatarisht, në Europë janë botuar 500,000 tituj elektronikë dhe shumica e këtyre titujve shiten në Mbretërinë e Bashkuar. Italia është një treg në rritje, në dymbëdhjetë muajt e fundit, 8.2% e të gjithë popullsisë ka lexuar së paku një e-libër, e cila është e barabartë me rreth 4.5 milionë njerëz.

Tregu i librave elektronikë po rritet në Francë. Në 2015, shitjet dixhitale përfaqësojnë rreth 6.4% të shitjeve të librave në Francë, nga 4.1% në vitin 2014. Tregu elektronik i librit në Francë arriti në 161.4 milionë euro në 2015, duke u rritur 53.3% më shumë se një vit më parë.

Gjermania është një nga tregjet më fitimprurëse të librit në të gjithë botën. Në vitin 2015, e-libra përbënin 4.3% të të gjitha shitjeve të librave dhe gjeneruan 24.8 milionë euro.

25% e gjermanëve lexojnë e-libra në baza ditore dhe kjo shifër është rritur pak nga 2014. E çuditshme për këtë treg është se pajisja që njerëzit përdorin për të lexuar libra elektronikë është më e ndryshme se Amerika e Veriut. Statistikisht, 41% e gjermanëve përdorin laptopë për të lexuar, 38% smartphone, ndërsa të gjithë të tjerët duket se përdorin lexues elektronikë, si Kindle, Kobo ose Tolino.

INSTAT: Rreth 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e kaluar

Leximi i një libri po shuhet pak nga pak, sidomos edhe për shkak të ndikimit të teknologjisë, internetit, por edhe rrethanave të tjera që lidhen me nivelin e arsimimit dhe gjendjen ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT, në një anketë të publikuar në gushtin e këtij viti, në 2017, mbi 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër. Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më shumë se 5 libra vitin e kaluar. Kurse numri i atyre që kanë lexuar më shumë se 5 libra sa vjen e zvogëlohet.

Rreth 102 mijë shqiptarë raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra vitin e kaluar. Leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë, raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë. Rënia e numrit të shqiptarëve që lexojnë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017. Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë në vitin 2016.

Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20% e popullsisë janë lexues të rregullt të librave. Në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në web më tepër se sa libra fizikë, pra e-libra. Në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë.

Në vitin 2016, Eurostat përllogarit se të gjitha familjet në Bashkimin Europian (BE) shpenzuan 90 miliardë euro, ose 1.1% të shpenzimeve totale të tyre të konsumit në libra, gazeta dhe shkrimi. Kjo përfaqëson 0.6% të PBB-së së BE-së ose rreth 200 euro për banor të BE-së. Nga ana tjetër, shpenzimet e familjeve për këto objekte ishin më pak se gjysma e shpenzimeve të tyre në shërbimet rekreative dhe kulturore. Shpenzimet për libra, gazeta janë në rënie.