Nga Redi Shehu
Zgjedhjet e 14 Majit në Turqi ishin pa më të voglin ekzagjerim, zgjedhjet më të raportuara në të gjithë globin si asnjë herë tjetër më parë. Shumë ngrenë pyetjen se pse ky interes i këtyre përmasave, shumë vende me mediat e tyre u përfshinë jo vetëm politikisht dhe mediatikisht në këtë proçes, por edhe emocionalisht. Narrativa e këtyre mediave, kryesisht perëndimore, shfaqi një farë frustrimi në mënyrën se si raportonte për sondazhe të cilat e nxirrnin humbës presidentin aktual Erdogan. Një frustrim i cili kishte kohë që përvijohej nga roli i Turqisë së sotme në ekuilibrimin mes superfuqive duke shënjestruar promovimin e paqes dhe njëkohësisht duke shfaqur një aftësi të rrallë në menaxhimin e krizave rajonale. Interesimi ishte jashtëzakonisht i madh edhe për arsyen se nga fituesi i këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej nëse rendi ultraliberal sot në botë, apo thënë ndryshe liberalokracia do të mund të vazhdonte apo do të fillonte dekadencën e saj duke i lënë rrugë të lirë ngritjes së një rendi tjetër paralel konservator. Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve në Turqi tregoi se ndërhyrja e mediave perëndimore me projeksionin e sondazheve totalisht të gabuara në favor të kandidatit tjetër Kilicdaroglu, do të jepte efektin e kundërt duke çuar vota tek Erdogan në 49.5% dhe duke e lënë kandidatin tjetër me vetëm 44.8%.
Për herë të parë në historinë e demokracisë turke kishim një balotazh, ku presidenti i vendit Erdogan, shpesh i cilësuar nga Perëndimi dhe e gjitha armata e vet politiko-mediatike si diktator, shpalosi efektivitietin maksimal të funksionimit demokratik të atij shteti dhe duke thyer rekordin e të gjitha vendeve demokratike (Franca e ka 72%) me një pjesmarrje prej afro 90% të votuesve. Nëse biem dakort se shkalla e zgjedhjeve të lira të një vendi përcaktohet nga pjesmarrja dhe diversiteti i ofertave politike opozitare, atëhere ky vend, pas këtyre zgjedhjeve, renditet përkrah vendeve më demokratike perëndimore më një demokraci 200 vjeçare. Jo vetëm kaq por ironikisht për skeptikët e demokracisë turke, zgjedhjet e 14 Majit prodhuan të vetmin “diktator” ne balotazh.
Gabimi i cili bëhet shpesh, herë me dashje e herë pa dashje, nga anlistë perëndimorë kur bie fjala për demokracinë turke, ështe se e paraqesin partinë CHP dhe kandidatin e saj Kiliçdaroglu si “ruajtës të demokracisë” dhe presidentin Erdogan si antagonizëm i kësaj. Ky gabim konsiston në idenë e nënkuptuar se Turqia gëlonte në një demokraci shembullore dhe vetëm ardhja e Erdogan e prishi dhe shkatërroi këtë begati. Ata që lexojë sado pak për historinë moderne të Turqisë e kuptojnë se sa e gabuar dhe sa fatkeqe është kjo premisë. Në fakt e kundërta ka ndodhur, ardhja e Erdogan në pushtet ka minimizuar rendin e shkatërruar demokratik turk, duke rritur indeksin e pavarësisë dhe diversitetit të saj dhe këtë më së miri e pamë në zgjedhjet e fundit.
Pas themelimit të republikës së re turke nën drejtimin e Ataturk nga viti 1923 deri në vitin 1950 Turqia udhëhiqej nga një sistem monist të një partie të vetme kemaliste të përfaqësuar nga CHP. Pas vitit 1950 sistemi filloi të hapej edhe për parti të tjera ku filloi të shkëlqente DP me Adnan Menderesin duke fituar disa zgjedhje 1954, 1957. Partia e vjetër kemaliste CHP e xhelozuar nga ky sukses dhe në bashkëpunim me ushtrinë, po ashtu kemaliste, organizojnë grusht shteti në 1960-tën dhe përmbysin qeverinë demokratike të Menderes, jo vetëm, kaq por edhe e dënojnë më varje këtë të fundit. Pas kësaj ngjarje të rëndë, demokracia turke filloi edhe një herë nga filizat me Partinë e Drejtësisë të Sulejman Demirel duke fituar zgjedhjet e 1965 dhe 1969, por si duket e njëjta trashëgimi kemaliste në politikë dhe ushtri u bezdis nga kjo konkurencë dhe organizojnë një grusht tjetër shteti me ushtri në vitin 1971 dhe rrëzojnë Demirel e vendosin një kukull te CHP Nihat Erim. Edhe pse ne vitin 1977 Demirel rizgjidhet perseri kryeministër, gjenerali famëkeq Kenan Evren, organizon një tjetër grusht shteti në shtator të 1980 dhe rrëzon qeverinë duke e lënë Turqinë deri nën vitin 1983 pa asnjë parti politike me qeverisje nga junta ushtarake. Në vitin 1997 përsëri ushtria ndërhyn duke rrëzuar kryeministrin e zgjedhur Nexhmedin Erbakam. E njëjta tentativë e ushtrisë u bë në vitin 2007 për të rrëzuar kryeministrin Erdogan në lidhje me zgjedhjen e presidentit Gul, po ky i fundit duke e kaluar zgjedhjen e presidentit nga populli arriti të anashkalonte ushtrinë dhe shpëtoi vendin nga një grusht jetër ushtarak. Për të ardhur tek tentativa e fundit për grusht shteti nga ushtria në vitin 2016 e cila ishte më e përgjakshmja dhe më e egra në historinë e Turqisë, e qëdështoi në sajë të përpjekjeve të Erdogan dhe popullit turk i cili doli në rrugë për të mbrojtur demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
Vetëm duke parë kontekstin se si ka qenë e kërcënuar demokracia turke gjatë kohës së kemalizmit, arrihet të kuptohet se pse gjatë periudhës 2003-2023 Turqia ka bërë hapa të mëdha përpara në rendin demokratik dhe eleminimin e ushtrisë në qeverisjen civile të vendit. Interesant është fakti se gjatë gjithë kësaj periudhe të errët për Turqinë, për vendet perëndimore, Turqia nuk portretizohej si vend jo demokratik dhe shihej si aleat i ngushtë, ndërsa në kohën kur pushteti civil i zgjedhur me votë demokratike arriti të largonte ndikimin e ushtrisë dhe përparoi vendin politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, Perëndimi filloi portretizimet politike dhe mediatike për Turqinë si një vend diktatorial. Pretendimi ishte se Erdogan është 20 vjet në pushtet, por nuk përmendet se është me zgjedhje të lira dhe po ashtu nuk përmendet se shumë vende demokratike perëndimore kanë pasur liderë edhe më shumë në pushtet. Presidenti i Finlandës Urho Kekkonen qëndroi 26 vjet në detyrë, kryeministri suedez Tage Erlander qëndroi 23 vjet në detyrë, Kryeministri i Luxemburgut Jean Claude Junker qëndroi 18 vjet në detyrë, kryeminstri norvegjez Einar Gerhardsen qëndroi 17 vjet, kancelarët gjermanë Helmut Kohl dhe Angela Merkel qëndruan 16 vjet secili, po ashtu edhe ai mëparshmi Konrad Adenauer qëndroi 14 vjet në detyrë.
Kur mediat perëndimore e protrezojnë CHP dhe Kemal Kiliçdaroglu si “ruajtësit e demokracisë” sigurisht që e dinë se çfarë në të vërtetë ata përfaqësojnë në rapport me demokracinë, por ata nuk pranojnë faktin e të qënurit të frustruar nga ideja se si mundet që modeli Erdogan rrëzoi tezën e tyre se Islami nuk mund të bashkëjetojë me demokracinë dhe shtetin e mirëqënies sociale. Është pikërisht ky realitet politik në Turqi i cili tregon prej 20 vjetësh, pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe shtrembërimeve mediatike, se një shoqëri myslimane mundet fare mirë të aplikojë një standart demokratik për t’u patur zili e ndërkohë duke e pasuruar vetë demokracinë me vlerat islame të humanitetit, bamirësisë dhe drejtësisë sociale.
Kur bëhet fjalë për Ballkanin dhe ndikimin e Turqisë në të, kundërshtarët e Erdoganit tundin tëzën se Turqia ka investuar më shumë në Serbi se sa në Shqipëri. Edhe kjo si shumë informacione të tjera të lidhura specifikisht me Turqinë është e manipuluar dhe aspak e vërtete. Faktet tregojnë se investimet turke ne Ballkan janë prezente dhe hierarkia e këtyre invetimeve e vendos Serbinë shumë më poshtë se Shqipëria. Sipas të dhënave nga vete agjensitë shteterore, Turqia ka investuar në Rumani 7.5 miliarde dollarë, vendin e dytë e zë Shqipëria me rreth 4 miliardë dollarë me 600 kompani dhe 15 mijë të punësuar, vendin e trete e ze Bullgaria me 2.5 miliarde dollarë investime, pastaj Maqedonia e Veriut me 1 miliardë dollarë, më pas vjen Greqia me 500 milionë dollarë, pas saj vjen Serbia me 400 milionë dollarë, Kroacia me 350 milionë dollarë, Kosova me 300 milionë dollarë dhe në fund Mali i Zi me 250 milionë dollarë.
Balotazhi i 28 Majit, ashtu siç edhe pritej nxori fitues Recep Tajip Erdogan me 52.1% të votave kundrejt Kemal Kiliçdaroglu me 47.8% për një mandat tjetër presidencial prej pesë vitesh. Kandidatura e Erdogan ishte më bindëse për shkak të sensit të fortë të lidershipit treguar në këto vite të qeverisjes se vendit dhe rolit të padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare. Turqit zgjodhën projektin e Erdogan “shekulli i Turqisë” i cili parashikon ta ngrejë këtë të fundit në 10-shen e vendeve me të industrializuara dhe më të pasura të globit, si dhe të shfrytëzojë të gjitha burimet natyrore të gazit dhe naftës së fundmi të zbuluara atje. Perëndimit, pas zgjedhjeve të fundit, i ngelet si e vetmja alternativë, të ndërtojë një marrëdhënie partnerieti me Turqinë si aktori kryesor ekuilibrues mes fuqive të mëdha. Një marrëdhënie e dënuar të jetë tashmë pozitive për shkak të dinamikës së madhe gjeopolitike e cila fton drejt konflikteve të paparishikuara. Një Turqi e fuqishme politikisht , ushtarakisht dhe ekonomikisht është garancia e vetme që Perëndimi ka për të ndërtuar një marrëdhënie sa më të stabilizuar dhe sa më të qetë në përgjithësi.