Miratohet plani 6 mld euro për Ballkanin Perëndimor – Parlamenti Europian votoi me 517 vota vendimin

Parlamenti europian miratoi planin 6 miliardë euro për nxitjen dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor me 517 vota pro. Me Planin për rritje të Ballkanit Perëndimor duhet të sigurohet përforcimi ekonomik i vendeve nga rajoni, nxitje të reformave të tyre të brendshme dhe tërheqje të investimeve, me ç’ka ato shumë shpejtë do t’i ndjejnë përfitimet nga afrimi drejt BE-së, ndërkaq në të njëjtën kohë ky instrument mund të çojë drejt rritjes së dyfishtë të ekonomive të tyre në 10 vitet në vijim.

Instrumenti i Planit për rritje, që për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro, do të realizohet në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027, duke filluar nga ky vit në 4 vitet e ardhshme.

Ndihma financiare do të jetë e lidhur me dinamikën reformuese në secilin shtet. Raportuesi i Komitetit për punë të jashtme të PE-së lidhur me rregullativën ligjore, eurodeputeti kroat, Tonino Picula gjatë debatit të djeshëm theksoi se fillimisht kushtet e vendosura janë zgjeruar edhe me kërkesën për luftë kundër dezinformatave, harmonizim të regjimit të vizave me atë të Unionit, për organizim të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike dhe prë sundim të së drejtës, ndërsa për Kosovën dhe Serbinë parakusht i veçantë janë edhe rezultatet nga dialogu i tyre.

Sipas eurokomisares për barazi, Helena Dali, realizimi i Planit për rritje, përkatësisht pagesës së mjeteve të para nga ai, duhet të fillojë gjatë verës, por kjo do të varet nga shpejtësia me të cilën do të përpunohen dhe harmonizohen agjendat reformuese, përgatitjet e të cilës janë në rrjedhë.