Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kuluturor

Ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Gashi dhe homologia e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi, në qytetin e Prizrenit kanë nënshkruar kalendarin e përbashkët kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Ministri Gashi sot në Prizren priti në takim ministren Furxhi, ku morën pjesë edhe delegacionet e të dy shteteve. Takimi u zhvillua i mbyllur për media.

Pas këtij takimi në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Kalendarit të përbashkët kulturor në mes të dy shteteve.

Në një fjalim rasti, ministrja Furxhi tha se ky është viti i pestë që si ministre e Kulturës së Shqipërisë e nënshkruan këtë kalendar. Ajo tha se ky është një formalizim i një bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor në mes të dy shteteve. Ministrja Furxhi theksoi se ky kalendar është bërë nga drejtuesit e institucioneve dhe specialistët e kulturës.

Duke e vlerësuar kulturën si një hapësirë të hapur pa kufi, Furxhi tha se, “Kufijtë janë administrativ, neve të kulturës nuk na shqetësojnë. Në konceptin tim kultura është si lumentjë, lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nga një vend në tjetrin nuk pyesin nëse ka kufi dhe as s’kanë pasaportë për të treguar”.

Ajo me këtë rast foli për aktivitete të fushave të ndryshme që mund të realizohen në bashkëpunim të dy shteteve si në atë të teatrit, operas, baletit, kinemasë e të ekspozitave.

Ndërsa ministri Gashi tha se kjo marrëveshje e kalendarit vjetor hap rrugë të reja për bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në institucionet e kulturës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri nga Kosova e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet.

“Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë, në shtëpinë tonë të përbashkët. Hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve pa e prekë pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që këtë vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”.

Ministri Gashi e vlerësoi gjithashtu edhe punën e ministres shqiptare për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se janë në fund të përgatitjeve për bartjen e një pjese të Ministrisë së Kulturës në qytetin historik.

Sipas tij, pjesa e parë e Ministrisë do të bartet kah mesi i muajit të ardhshëm.

“Jemi në prag, në përgatitje teknike. Besoj që muajin e ardhshëm një pjesë e stafit të Ministrisë, një pjesë e kabinetit për të vazhduar në pjesën tjetër për shkak se objekti tjetër kërkon një intervenim më të gjatë”.

Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufij tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativë.

“Është për mua viti i 5-të si ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar, por duke pranuar siç e tha edhe ministri është që është një formalizim i një aktiviteti i një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”.

“Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës të cilën duam ta kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet të krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

“Koncepti i kalendarit të përbashkët kulturor është një koncept që është një skenë e hapur. Me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim me Greqinë por jo vetëm”, tha ministrja shqiptare.