Prishtinë, hapet ekspozita me fotografitë e AA-së gjatë “15 Korrikut”

"Qëllimi i këtij aktiviteti është që edhe Kosova të njihet me këtë tentativë terroriste dhe tradhtare", tha drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë, Mehmet Ülker

Në kuadër të aktiviteteve të Ditës përkujtimore të 15 Korrikut dhe Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar”, në Institutin “Yunus Emre” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë sot u bë hapja e ekspozitës me fotografitë e realizuara nga AA gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker në një deklaratë për AA tha se kjo ekspozitë po organizohet për të tretën herë me radhë nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, me mbështetjen e Institutit “Yunus Emre” dhe AA.

“Ne si familje e Institutit ‘Yunus Emre’ kemi organizuar këtë aktivitet për t’i ndarë fotografitë me popullin kosovar, të cilat janë realizuar atë nate dhe janë përjetësuar nga AA. Qëllimi i këtij aktiviteti është që edhe Kosova të njihet me këtë tentativë terroriste dhe tradhtare”, tha Ülker duke bërë të ditur se kjo ekspozitë organizohet me moton “Ngritja e vullnetit kombëtar – fotografitë e grusht shtetit nga AA”.

Sa i përket konceptit të fotografive, ai tha se këto fotografi tregojnë shembullin e popullit turk i cili ka mbrojtur demokracinë e tyre dy vite më parë.

“Ne realizuam këtë ekspozitë edhe më herët në Prizren, po ashtu edhe në ‘Sallën e Kuqe’ në Prishtinë, tek monumenti i dëshmorëve të Çanakalasë në Mamushë dhe përsëri këtë vit në Konsullatën e përgjithshme të Turqisë në Prizren. Ky aktivitet që ndërlidhet me aktivitetet e tjera në këtë kuadër, shpresojmë të arrijë tek një audiencë më e gjerë. Po e realizojmë me qëllim që mos të jetë e njëjta ekspozitë në ambientet e njëjta por të arrijë tek një numër më i madh i njerëzve”, tha Ülker.

Ndërkaq drejtori i institutit, përmendi edhe një shembull të dhjetë nxënësve të tyre të cilët kanë shkuar në Turqi për të marrë pjesë në Shkollën Verore të Institutit “Yunus Emre”. Ai bëri të ditur se këta nxënës të cilët do të qëndrojnë një muaj në Turqi kanë shprehur dëshirën të nisen në Turqi me bluzat me mbishkrimin “Jemi me ju” për të treguar solidaritetin e tyre me popullin turk për 15 korrikun.

Diar Begolli njëri nga vizitorët e ekspozitës, për AA tha se është nxënës në Institutin “Yunus Emre” në Prishtinë duke theksuar se është i impresionuar nga fotografitë e ngjarjeve të tentativës për grusht shteti të realizuara nga AA në qytetet e ndryshme të Turqisë, si në Stamboll, Ankara apo Sivas. Ai kujtoi edhe natën e 15 korrikut të vitit 2016.

“Nuk kemi fjetur dhe kemi pritur deri në mëngjes atë natë”, tha Begolli duke shtuar se falë Zotit nuk ka ndodhur më e keqja.

Kujtojmë se ekspozita do të jetë e hapur mes të datave 16-26 korrik në ambientet e Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë.