Kosovë, Mërgim Lushtaku merr konfirmimin e Emirateve për Interpol

Deputeti i PDK’së Mergim Lushtaku është takuar me shefin e Misionit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Mal të Zi që mbulon edhe Kosovën, Abdulsalam Hareb Obaid Al Romaithi, me të cilin ka folur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Deputeti i PDK’së Mergim Lushtaku është takuar me shefin e Misionit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Mal të Zi që mbulon edhe Kosovën, Abdulsalam Hareb Obaid Al Romaithi, me të cilin ka folur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Lushtaku, përmes një postimi në rrjetin social thotë se nga nikoqiri ka marrë përkrahjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Si Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-EBA në kuadër të Kuvendit të Kosovës, me Ambasadorin e zhvilluam një takim të ngrohtë e të këndshëm njoftues, ku biseduam për miqësinë e dy shteteve dhe mbështetjen e EBA-së që ka bërë për Kosovën, para, gjatë dhe pas luftës, me ç’rast përmes tij e falënderova popullin e Emirateve, duke i kërkuar mbështetje edhe më tej.

Ambasadorit i kërkova mbështetje të mëtejme për lobim për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare, sidomos tani në Interpol, pasi që nga 18 deri 21 nëntor në Dubai do të mblidhet Asambleja e 87-të e Përgjithshme e INTERPOL-it.

Si nikoqir, EBA mund të luaj rolin e pazëvendësueshëm për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë. EBA-ja duke qenë model i shteteve për zhvillim ekonomik dhe biznes-bërje ndërkombëtare, me ambasadorin diskutuam edhe për mundësinë e investimeve në Kosovë.

I bëra ftesë ambasadorit që të vizitojë Kosovën, duke sjellë edhe investitorë potencial në vendin tonë. U dakorduam që të harmonizojmë datat për takime më konkrete lidhur me çështjet e ngritura në këtë takim të frytshëm”, ka shkruar Lushtaku në Facebook./TRT