Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në Jerusalem, duke kërkuar zgjedhje të menjëhershme dhe përfundimin e luftës në Gaza. Policia izraelite tha se nëntë protestues u arrestuan.
Shumë izraelitë, të shqetësuar për pengjet që mbahen ende në Gaza dhe luftën në vazhdim, akuzojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu se i vë interesat politike mbi gjithçka tjetër. Ata akuzojnë qeverinë se ka humbur kontrollin e luftës 8-mujore dhe kërkojnë një marrëveshje për ndalimin e luftimeve dhe kthimin e pengjeve.
Netanyahu mohon akuzat dhe thotë se mendon vetëm interesat më të mira të vendit.
Protestat e mëdha antiqeveritare janë zhvilluar çdo javë të shtunën në mbrëmje.
“Ne erdhëm për të demonstruar përsëri, ne jemi këtu, në Tel Aviv, kudo për të hequr qafe këtë qeveri të korruptuar, që nuk liron pengjet, që drejton luftën në mënyrë të ngathët dhe është përgjegjëse për sulmin më të keq, më të keq terrorist ndaj nesh që nga Holokausti”, tha një protestues.
“Për shkakun tuaj ne po vdesim, largohuni nga jeta jonë”, shkruanin protestuesit, me një foto të Netanyahut me duar të përgjakura.