Fillon Festivali i Arkitekturës në Kosovë

Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku tha se gjatë dy javëve të para të korrikut do mbahen 12 ligjërata, gjashtë punëtori, pesë shfaqje të filmave, një ekspozitë, dy promovime të librave, një debat dhe një sallon i librit

– Me ekspozitën mbi konservimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot filloi Festivali i Arkitekturës, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapjen e Festivalit organizuar nga Fondacioni i Arkitektëve të Kosovës (FAK) në bashkëpunim me “Future Architecture Platform” e bëri drejtori i festivalit, Bekim Ramku.

Ramku gjatë fjalës së tij tha se festivali do të zgjasë tre muaj ndërsa theksoi se përgjatë dy javëve të para të korrikut do mbahen 12 ligjërata, gjashtë punëtori, pesë shfaqje të filmave, një ekspozitë, dy promovime të librave, një debat dhe një sallon i librit.

Ai tha se plani për konservim dhe menaxhim të Bibliotekës ka fituar grantin “Keeping it Modern” të Getty Foundation i cili ndanë fonde për arkitekturën moderne. Ramku theksoi se shumica e fotografive në ekspozitë janë bërë nga vetë arkitekti i Bibliotekës Kombëtare, Andrija Mutnjakoviç pas përfundimit të këtij objekti.

Sipas Ramkut ekspozita eksploron temat e urbanizimit, përfshirë më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe filma nga një koleksion arkivash të gjerë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku tha se ky objekt është një nga arritjet më kurorëzuese të arkitekturës moderne të Kosovës i cili siç tha ai, ka ardhur për të simbolizuar idealet e kulturës së leximit por edhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të shkruar, të shtypur dhe të regjistruar të Kosovës.

Gajraku theksoi se objekti i cili konsiderohet si simbol i Kryeqytetit të Kosovës me kalimin e kohës sot është në rrezik të konsiderueshëm për t’iu përballur faktorit prishës. Ai bëri të ditur se për planin e ruajtjes së objektit të biblotekës i cili shfaqet në këtë ekspozitë, ka punuar një grup i arkitektëve, inxhinierëve si dhe punëtorëve të bibliotekës. Sipas tij, ata kanë ndihmuar për të vëzhguar, inventarizuar dhe dokumentuar hapësirat e objektit të bibliotekës.

“Ky plan i realizuar nga Fondacioni i Arkitektëve të Kosovës jo vetëm që ka arritur vëmendjen e publikut por edhe ka bërë prioritet bibliotekën tek Qeveria e Kosovës veçanërsht tek Ministria e Kulturës së Kosovës, jo vetëm për ta filluar procesin e rinovimit por edhe të konservimit që është një fushë e praktikës ndërdisiplinore të ruajtjes që kërkon bashkëpunim midis konservuesve, historianëve të artit, studiuesve të ruajtjes dhe profesionistëve të tjerë të trashëgimisë”, tha Gajraku.

Ndërsa, përfaqësuesi i “Getty Foundation”, Antoine Wilmering tha se në këtë ekspozitë shfaqet puna në detaje mbi rëndësinë e këtij objekti, duke theksuar se: “Kjo ndërtesë është thesari i Kosovës dhe i qytetit të Prishtinës. Kur e shikon atë nga jashtë shihen dritat e shndritshme të kupolave dhe është një xhevahir i vërtetë i modernizmit”.

Kujtojmë se ndërtimi i bibliotekës të stilit modern ka filluar në vitin 1974 dhe është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviç. Ndërsa inaugurimi i saj është bërë më 25 nëntor të vitit 1982.