Zoran Zaev: Hapim epokë të re të bashkëpunimit me SHBA-në

Zaev mbajti video-konferencë për media me Ndihmës Sekretarin Shtetëror amerikan të Energjisë, Francis R. Fannon...

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është takuar sot me Ndihmës Sekretarin Shtetëror amerikan të Energjisë, Francis R. Fannon, me të cilin kanë diskutuar situatën energjetike në vend dhe rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Zaev dhe Fannon mbajtën një video-konferencë të përbashkët për media, ku njoftuan se me mbështetjen e SHBA-së, Maqedonia e Veriut do të iniciojë disa projekte energjetike.

Kryeministri Zaev u shpreh se ky takim është vazhdimësi e takimeve gjatë vizitës së tij në Athinë para dy javësh, duke shtuar se bashkëpunimi rajonal në energjetikë është prioritet i strategjisë energjetike të vendit.

“Gjatë vizitës sime në Athinë para dy javësh, fituam mbështetje nga konzorciumi Gas Trade për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm natyror në afërsi të qytetit Alexandroupoli në Greqi. Me këtë projekt krijohet mundësi për furnizim të përhershëm dhe të qëndrueshëm të gazit natyror për vendin tonë i cili në të njëjtën kohë do të bëhet një pikë prej ku gazi do të shpërndahet më gjerë në rajon dhe në vendet që do të tregojnë interes”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se është diskutuar edhe interkonektori i gazit me Greqinë, duke shtuar se po shqyrtohen mundësitë që sërish të vihen në funksion tubacioni i naftës nga Greqia dhe rafineria “Okta” në Shkup, që është në pronësi të një kompanie greke.

“Hapim epokë të re të bashkëpunimit me partnerët tanë, SHBA dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s, mendoj për Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë këtu rreth nesh, por gjithsesi hapim edhe perspektiva serioze për investime të kompanive nga sfera energjetike”, theksoi Zaev.

Nga ana tjetër, zyrtari amerikan Fannon shprehu falënderime për angazimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke shtuar se ky angazhim tani po zgjerohet në sfera të tjera.

“Ju po ndërmerrni hapa me çka do ta ndërtoni Maqedoninë e Veriut si aktor rajonal dhe këtu SHBA ju qëndrojnë pranë në gjithë këtë”, tha Fannon.

Ai gjithashtu tha se SHBA ka interes afatgjat dhe promovon diversifikimin e furnizimit me energji, duke përfshirë edhe llojet, edhe rrugët energjetike.

Fannon gjithashtu tha se nëse një vend ka vetëm një furnizues, “atëherë kjo nuk është treg, por varësi”.