Hyrja në SEPA pritet të ulë kostot e transfertave ndërkombëtare

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të pritshme për sektorin financiar do të jetë anëtarësimi i vendit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë.

Shqipëria është një vend me ndërveprim shumë të lartë ekonomik me vendet e Bashkimit Europian, në fusha si shkëmbimet tregtare në mallra, të ardhurat nga puna dhe remitancat, turizmi, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian apo prania e kompanive europiane në tregun shqiptar dhe anasjelltas.

SEPA i bën pagesat ndërkufitare midis vendeve anëtare në të po aq të thjeshta dhe të lira sa pagesat brenda vendit. Me pjesëmarrjen në SEPA mundësohet zbatimi i parimit të tarifave të barabarta, si për pagesat kombëtare, ashtu edhe për ato ndërkufitare të përpunuara në mënyrë elektronike në euro.

Aktualisht, transfertat dhe pagesat me vendet e Bashkimit Europian dhe anasjelltas kryhen nëpërmjet bankave korrespondente, që përfaqësojnë një kanal të kushtueshëm dhe joefikas për sa i përket kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimit të finalizimit të tij, transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Për zhvillimin e turizmit, anëtarësimi në SEPA lehtëson turistët europianë për të paguar shpejt dhe me kosto të ulëta, sikur të ishin në Europë apo në vendin e tyre të origjinës. Për investimet, lëvizja e fondeve dhe e pagesave midis Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian bëhet më e lehtë dhe më pak e kushtueshme. Gjithashtu, krijimi i një lehtësie të tillë do të rrisë dërgimin e formalizuar të remitancave prej vendeve të Bashkimit Europian.

Kriteret për zgjerimin e shtrirjes gjeografike të Zonës Unike të Pagesave në Euro janë përcaktuar nga Këshilli Europian i Pagesave, që kryen edhe vlerësimin e përputhshmërisë me kriteret e pjesëmarrjes në SEPA.

Një bankë qendrore, ose një entitet i ngjashëm, mund të veprojë në emër të komunitetit financiar kombëtar për paraqitjen e kërkesës për pjesëmarrje në të cilën analizohen gjithashtu dhe pajtueshmëria ligjore e vendit me kriteret e pjesëmarrjes në SEPA. Për Shqipërinë, dosja e aplikimit do të paraqitet nga Banka e Shqipërisë.

Kriteret në lidhje me sigurimin e kushteve të barabarta ndërmjet aplikantit dhe pjesëmarrësve të tjerë të skemës SEPA fokusohen në pajtueshmërinë me legjislacionin e BE-së për pagesat. Këto kritere nuk kërkojnë një zbatim të rreptë të legjislacionit përkatës të BE-së, por dispozitat përkatëse në legjislacionin vendas duhet të konsiderohen në thelb të barabarta ose funksionalisht të barabarta me legjislacionin e BE-së.

Banka e Shqipërisë po asistohet nga Banka Botërore në këtë proces dhe tashmë ka bërë një vlerësim paraprak të nevojave për ndryshime ligjore që do të plotësojnë kriteret e pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky vlerësim ka treguar se Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në përafrimin e legjislacionit. Një zhvillim mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë dhe dalja e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, një kriter thelbësor ky për pjesëmarrjen në SEPA. Pas aplikimit nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe miratimit të tij nga Këshilli Europian i Pagesave dhe Komisioni Europian, bankat dhe jobankat do të duhet të anëtarësohen individualisht në skemat SEPA.

Në kuadër të këtij procesi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në muajin mars rregulloren “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në euro”.

Kjo rregullore është hartuar në kuadër të procesit të aplikimit të Shqipërisë. Anëtarësimi në SEPA është një objektiv i Bankës së Shqipërisë për të nxitur modernizimin e tregut të sistemeve të pagesave dhe integrimin e tyre me tregjet europiane, si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rregullorja transpozon plotësisht dispozitat e rregullores së BE-së për kërkesat teknike dhe të biznesit për transfertat e kreditit dhe debitë e drejtpërdrejta në euro.

Ajo ka si objekt kryesor përcaktimin e kërkesave teknike për transaksionet e transfertave të kreditit dhe të debitimit direkt të kryera në monedhën Euro brenda Shqipërisë dhe ndërmjet Shqipërisë dhe zonës SEPA, ku si Operatori i Shërbimit të Pagesës (OShP-ja) e paguesit ashtu edhe e përfituesit janë në Shqipëri, ose një nga OShP-të është në Shqipëri dhe tjetri brenda zonës SEPA, ose i vetmi OShP i përfshirë në transaksionin e pagesës ndodhet në Shqipëri.

Rregullorja do të zbatohet edhe për transfertat e kreditit dhe debitimet direkte në Lek, për aq sa është e mundur nga pikëpamja teknike dhe operacionale.

Disa prej kërkesave kryesore teknike janë: Identifikuesi i llogarisë së pagesave duhet të jetë IBAN, standardi për formatin e mesazhit të pagesës duhet të jetë standardi ISO 20022 XML; fusha e të dhënave të dërgesave duhet të lejojë 140 karaktere. Skemat e pagesave mund të lejojnë një numër më të madh karakteresh, përveçse në rastin kur pajisja e përdorur për dërgimin e informacionit ka kufizime teknike në lidhje me numrin e karaktereve, ku në këtë rast zbatohet kufiri teknik i pajisjes.

Informacioni i referencës së dërgesës dhe të gjitha elementet e tjera të të dhënave të ofruara duhet të transmetohen plotësisht dhe pa ndryshime ndërmjet OShP-ve në zinxhirin e pagesave; pasi të dhënat e kërkuara të jenë të disponueshme në formë elektronike, transaksionet e pagesave duhet të lejojnë përpunimin plotësisht të automatizuar elektronik në të gjitha fazat e procesit në të gjithë zinxhirin e pagesave (nga fundi-në-fund, direkt nëpërmjet përpunimit), duke mundësuar kryerjen e të gjithë procesit të pagesës në mënyrë elektronike pa pasur nevojë për përdorimin përsëri të çelësave ose ndërhyrje manual; skemat e pagesave nuk duhet të vendosin asnjë kufi minimal për shumën e transaksionit të pagesës që lejon transfertat e kreditit dhe debitimet direkte, etj.

Për pagesat që nuk janë pjesë e SEPA-s, Këshilli Mbikëqyrës mund të vendosë kërkesa të ndryshme nga përcaktimet e bëra në këtë rregullore.

Me qëllim aplikimin për pjesëmarrje në SEPA, OShP-të, që janë subjekt i kësaj rregulloreje, duhet të marrin masat e nevojshme që të përshtatin aktivitetet dhe funksionimin e tyre me kërkesat e kësaj rregullore, brenda 180 ditëve nga miratimi i zgjerimit të shtrirjes gjeografike SEPA-s në Shqipëri nga Këshilli Europian i Pagesave.