Zgjedhjet në Shqipëri, reagon Ministria e Jashtme e Italisë: KQZ tregoi profesionalizëm. Thelbësore që të gjithë aktorët politikë të angazhohen për të mirën e vendit

Ministria e Jashtme e Italisë ka përshëndetur procesin zgjedhor që u zhvillua në Shqipëri duke vlerësuar rolin e KQZ-së dhe kreut të saj Ilirjan Celibashi...

Ministria e Jashtme e Italisë ka përshëndetur procesin zgjedhor që u zhvillua në Shqipëri duke vlerësuar rolin e KQZ-së dhe kreut të saj Ilirjan Celibashi. Në një shënim të këtij institucioni thuhet se Ministria e Jashtme italiane ka parë me kënaqësi përparimin e raundit elektoral në Shqipëri i cili u zhvillua të dielën 25 Prill.

Italia uron për organizimin e mirë të procesit zgjedhor, siç tregohet nga OSBE/ODIHR në raportin e saj paraprak dhe në veçanti për profesionalizmin dhe transparencën e treguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri i tij Ilirjan Celibashi.

Raportimet e pretenduara të mashtrimit dhe parregullsive duhet të vlerësohen me përpikmëri dhe në përputhje të plotë me procedurat e vendosura nga kodi zgjedhor.
Zgjedhjet e së dielës, 25 prill kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj drejt Evropës.

Pas ballafaqimit elektoral, tani është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të angazhohen të punojnë për të mirën e vendit, duke kontribuar në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre qendrore të referencës në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional.

Shpresa e Italisë është që të gjitha forcat politike të punojnë në kohezion në mbështetje të objektivit strategjik të përfaqësuar nga hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përmes një dialogu konstruktiv dhe të respektueshëm midis mazhorancës dhe opozitës që lejon vendin të përballet me sukses me sfidat që e presin. Italia do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri institucionet shqiptare në këtë rrugë dhe aspiratat legjitime të popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes evropiane.