Zelanda e Re blen armët qytetarëve

Zelanda e Re ka nisur zbatimin e një programi gjashtë-mujor për blerjen e armëve me qëllimin për të hequr nga qarkullimi armët gjysmë automatike

Zelanda e Re ka nisur zbatimin e një programi gjashtë-mujor për blerjen e armëve me qëllimin për të hequr nga qarkullimi armët gjysmë automatike, të cilat u ndaluan me ligj pas masakrës së muajit mars në dy xhami në Christchurch, transmeton Zëri i Amerikës.

Të enjten ministri për Policinë Stuart Nash tha se shpreson që kjo gjë të inkurajojë njerëzit që të largojnë shumë prej armëve të ndaluara.

Ai tha se pronarët e licencuar të armëve të zjarrit do të marrin kompensim të drejtë për armët e dorëzuara gjatë periudhës gjashtë mujore të blerjes dhe amnistisë. Sipas tij, kjo skemë kompensimi njeh faktin që pronarët e licencuar të armëve të zjarrit posedojnë aktualisht armë të ndaluara, jo për faj të tyre, por për shkak të ndryshimit të ligjit.

Një muaj pas vrasjeve me armë zjarri të 50 personave, në një votim 119 pro dhe 1 kundër, ligjvënësit e Zelandës së Re miratuan një projektligj për të ndaluar armët automatike dhe gjysmë automatike, karikatorët me kapacitet të lartë si dhe pajisjet që mund t’i shdërrojnë pushkët e zakonshme në armë sulmi me veprim të shpejtë.

Programi që po zbatojnë autoritetet e Zelandës së Re kushton rreth 136 milionë dollarë dhe do të përfundojë më 20 dhjetor.