Vuçiç: Nuk do të ndryshoj politikat e mia

Vuçiç tha se përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës haptazi thonë se ata përfundimisht kanë shtetin e tyre "dhe ata për këtë do të paguajnë çfarëdo çmimi"

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se është i përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të hapura midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se nuk mbështet politikën e konfliktit të ngrirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për takimin me Kancelaren gjermane Angela Merkel në Davos, ku ndër të tjera u diskutua dhe për zgjidhjen e problemit të Kosovës, ai kujtoi se 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës brenda kufijve të asaj.

“Por, në njëfarë mënyre ne rrallë e kujtojmë atë. Besoj se Gjermania do të shikojë jo vetëm dialogun, por edhe në arritjen e një zgjidhjeje kompromisi. Por, a do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, nëse do të mund t’ia dalim, mbetet të shohim”, tha Vuçiç.

Siç theksoi ai, nuk është e mundur të mbahet i ngrirë konflikti i Kosovës, sepse ka interesa të shqiptarëve, por edhe interesa të disa fuqive të mëdha që duan të zgjidhin problemin. Vuçiç tha se përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës haptazi thonë se ata përfundimisht kanë shtetin e tyre “dhe ata për këtë do të paguajnë çfarëdo çmimi”.

“Ja tani i pyes qytetarët e Serbisë, sa jemi ne të gatshëm të paguajmë këtë çmim, sa kemi paguar në të kaluarën për këto politika të gabuara që kemi ndjekur”, ka thënë presidenti i Serbisë, duke shtuar:

“Mendoj se është koha të fillojmë të mendojmë për njerëzit, natyrisht duke ruajtur interesat tona dhe duke fituar më së shumti që mundemi për Serbinë dhe popullin serb. Nëse këta njerëz nuk duan të kuptojnë, atëherë çfarë mundem unë. Më vjen keq për këtë, por një gjë të tillë nuk mund të ndryshoj, sikur që nuk do të ndryshoj politikën e cila është racionale, serioze dhe përgjegjëse dhe e cila deri më sot i ka sjellë rezultate shumë të mira Serbisë”.

Duke komentuar ratifikimin e marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, Vuçiç tha se Serbia nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera, por se do të jetë një nga vendet e para që do ta njohë fqinjin e saj jugor me emrin e ri kushtetues – Maqedonia e Veriut.

“Ne duam marrëdhëniet më të mira si me njërin ashtu edhe me tjetrin vend dhe përgëzoj Tsipras dhe Zaev për këtë”, vuri në dukje Vuçiç.

Ai gjithashtu theksoi se mosmarrëveshja mes dy vendeve ishte vetëm për emrin e shtetit, ndërsa marrëdhëniet e Serbisë me Prishtinën janë “dhjetëfish më të vështira”.

“Këto janë probleme të ndryshme në aspektin e peshës së tyre dhe të pasojave që ato bartin dhe në çdo gjë tjetër, por ajo që është politika e Serbisë dhe ajo që mendoj se na sjellë të ardhmen më të mirë është politika e stabilitetit rajonal dhe politika e hapjes së kufijve sepse ne në aspektin ekonomik nuk kemi frikë nga të tjerët”, theksoi presidenti i Serbisë, Vuçiç.