Vuçiç falënderon Papën për qëndrimin e Vatikanit ndaj Kosovës

"Ne e vlerësojmë shumë pozitën parimore të Selisë së Shenjtë për çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe mirëkuptimin për pozicionin e Serbisë bazuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar", potencoi Vuçiç

Marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Vatikanit, integrimi evropian i Serbisë, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar ishin temat e bisedimeve midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i presidentit serb, Vuçiç theksoi se bashkëpunimi midis Republikës së Serbisë dhe Kishës Katolike Romake është shumë i mirë dhe në një nivel jashtëzakonisht konstruktiv, me respekt të ndërsjellë. Ai tha se Serbia është e angazhuar për një kohë të gjatë për forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, duke shtuar se vitin e ardhshëm do të shënohet 100-vjetori nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike të ndërsjella.

Gjatë takimit, Vuçiç tha se marrëdhëniet e Serbisë dhe Selisë së Shenjtë karakterizohen nga një koherencë e pikëpamjeve për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, para së gjithash çështja e mbrojtjes së krishterëve dhe trashëgimisë krishtere dhe promovimi i të drejtave të tyre njerëzore.

Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të të drejtave të popullsisë serbe dhe popullsive të tjera jo-shqiptare në Kosovë, mbrojtjen dhe rivendosjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë dhe në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse të mbrojtura nga UNESCO.

“Ne e vlerësojmë shumë pozitën parimore të Selisë së Shenjtë për çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe mirëkuptimin për pozicionin e Serbisë bazuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, potencoi Vuçiç dhe falënderoi për qasjen konstruktive të Selisë së Shenjtë për këtë çështje.

“Serbia është e bindur thellësisht se bisedimet janë mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura, për këtë arsye, pas vendosjes së taksës. Ne jemi përmbajtur nga masat reciproke dhe çdo hapi tjetër që do të komplikonte më tej situatën aktuale. Pala jonë vazhdon të bëjë një angazhim konstruktiv për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe kompromisi sa i përket çështjes së Kosovës, vetëm përmes dialogut. Megjithatë, Prishtina, duke bërë hapa të njëanshme iracionale dhe provokime të vazhdueshme, parandalon çdo dialog dhe marrëveshje”, ka thënë Vuçiç.

Gjatë bisedimeve me Papa Françeskun, Vuçiç shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për Selinë e Shenjtë dhe Papa Françeskun për mbështetjen që ai i jep integrimit evropian të Serbisë.

“Ne vlerësojmë veçanërisht angazhimin për të përshpejtuar procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe inkurajojmë shtetet anëtare të ndihmojnë dhe mbështesin procesin”, tha Vuçiç, duke potencuar anëtarësimin në BE si një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë.

Ai shtoi se vizitat e fundit të Papës në Ballkanin Perëndimor paraqesin një mbështetje të fortë politike për të gjithë rajonin dhe japin një kontribut të rëndësishëm për forcimin e dialogut, një frymë njerëzimi dhe solidariteti si dhe mbështetje për çështje politike të rëndësishme strategjike për të gjithë rajonin.

Vuçiç dhe Papa Françesku diskutuan gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, shkencave historike si dhe projekte të përbashkëta të instituteve shkencore të Serbisë dhe Selisë së Shenjtë.