Turqia ngushëllon Irakun për sulmet terroriste në Kirkuk

Turqia ka shprehur ngushëllimet e saj për njerëzit që humbën jetën në sulmet me bomba të organizuara të enjten në Kirkuk të Irakut

Ministria turke e Punëve të Jashtme publikoi të premten një njoftim për shtyp lidhur me sulmet terroriste në Kirkuk.

“Ne kemi marrë me trishtim lajmin për viktima dhe lëndime si pasojë e sulmeve terroriste të kryera në Kirkuk dje (30 maj).

I dënojmë me forcë këto sulme terroriste, të cilat kanë në shënjestër kulturën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare. Ne i shprehim ngushëllimet tona popullit miqësor dhe vëllazëror të Irakut, lusim mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ne besojmë plotësisht se sulme të tilla të tmerrshme nuk mund të minojnë vullnetin e popullit të Kirkukut për të jetuar së bashku në paqe, harmoni dhe siguri duke kontribuar në prosperitetin dhe qetësinë e Irakut”, thuhet në njoftimin e MPJ turke.

Të paktën 4 persona gjetën vdekjen dhe 15 të tjerë u plagosën në 6 sulme të njëpasnjëshme me bomba, të cilat u kryen të enjten nga organizata terroriste DAESH në pika të ndryshme të këtij qyteti irakian të rëndësishëm me mbi 600 mijë banorë.