Turqia: BE, 4.5 milionë euro për projekte të përbashkëta midis OJQ-ve

Turqia dhe BE-ja punojnë për të zhvilluar projekte që do të zbatohen së bashku nga grupet e shoqërisë civile në fazën e gjashtë të programit të dialogut për shoqërinë civile Turqi-BE 2020-2021

Bashkimi Evropian (BE) do të sigurojë 4.5 milionë euro (4.94 milionë dollarë) për projekte të përbashkëta midis organizatave joqeveritare turke dhe atyre të BE-së për projektet që kanë të bëjnë me procesin e pranimit të Turqisë në BE, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Çështjeve të BE-së pranë Ministrisë turke të Punëve të Jashtme bëri të ditur se Turqia dhe BE-ja punojnë për të zhvilluar projekte që do të zbatohen së bashku nga grupet e shoqërisë civile në fazën e gjashtë të programit të dialogut për shoqërinë civile Turqi-BE 2020-2021.

Drejtoria dhe organizatat joqeveritare me bazë në BE filluan bashkëpunimin në vitin 2008 me qëllim të bashkimit të organizatave joqeveritare nga Turqia dhe BE-ja rreth temave të përbashkëta.

“Programi me një buxhet të përgjithshëm prej 4.5 milionë euro synon të zhvillojë projekte të zbatuara bashkarisht nga organizatat joqeveritare nga Turqia dhe shtetet anëtare të BE-së për çështje që kanë të bëjnë me të gjitha kapitujt e procesit të negociatave të BE-së”, thuhet në njoftimin e drejtorisë.

“Të paktën 60 mijë euro dhe mbi 150 mijë euro të tjera mbështetje për grante do t’u ofrohen projekteve të zhvilluara bashkarisht nga shoqatat, fondacionet, federatat/konfederatat e shoqatave dhe fondacioneve si dhe kooperativave jofitimprurëse nga Turqia me organizatat jofitimprurëse nga shtetet anëtare të BE-së”, theksohet në njoftim.

Poashtu njoftohet se aplikimet për pjesëmarrje në projekt mund të bëhen deri më 12 nëntor përmes Njësisë Qendrore të Financave dhe Kontratave të Turqisë ose përmes korrierit, postës apo në dorë.