Turqi, emërohen 3 ministra të rinj

Ministrja e Tregtisë Ruhsar Pekcan u zëvendësua nga Mehmet Mus, ndërsa Derya Yanik dhe Vedat Bilgin u emëruan si ministra të Ministrisë së Familjes dhe Shërbimeve Sociale dhe Ministrisë së Punës dhe Sigurimit Social

Me një dekret presidencial sot është zëvendësuar ministrja e Tregtisë ndërsa janë caktuar dy ministra në ministritë e sapo themeluara, njoftoi Gazeta Zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Tregtisë Ruhsar Pekcan u zëvendësua nga Mehmet Muş, kryetari i grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet ndërsa Derya Yanik dhe Vedat Bilgin u emëruan si ministra të Ministrisë së Familjes dhe Shërbimeve Sociale dhe Ministrisë së Punës dhe Sigurimit Social.

Një dekret tjetër presidencial njoftoi se vendi ka ristrukturuar Ministrinë e Shërbimeve Sociale të Familjes dhe Punës për të krijuar dy ministritë e reja.

Mehmet Muş​​​​​​​ ka diplomë universitare në biznes nga Universiteti Akdeniz i Turqisë, diplomë pasuniversitare në ekonomi nga Universiteti Shtetëror i Washingtonit në SHBA dhe diplomë doktorature nga Universiteti Marmara i Turqisë në historinë ekonomike. Ai ka qenë anëtar i parlamentit për katër mandatet e fundit të qeverisë.

Derya Yanik është një avokate, me diplomë universitare në fushën e drejtësisë nga Universiteti i Stambollit.

Vedat Bilgin ka diplomë universitare në shkencat shoqërore dhe administrative nga Universiteti Hacettepe i Turqisë, diplomë pasuniversitare në urbanizim dhe industrializim dhe doktoraturë në sociologji ekonomike nga Universiteti i Stambollit.

Bilgin, një ish-deputet, ka qenë ligjërues në disa universitete, përfshirë Universitetin York në Britaninë e Madhe, Universitetin Michigan në SHBA dhe Universitetin Gazi të Turqisë. Ai po ashtu ka qenë këshilltar i Presidencës.