“Tuk-tuk”, mjeti më i përhapur për transport në Sri Lankë

Dimensionet e vogla që ka, i japin "tuk-tuk-ut”, avantazh ndaj mjeteve tjetra të transportit sepse e bëjnë të lëviz shumë më lehtë në zonat e mbipopulluara

Mjeti më i përhapur për transport në Sri Lankë quhet ”tuk-tuk“, dhe shërben për bartjen e njerëzve dhe mallrave. Pikërisht ky mjet, në shumë vende të Lindjes së Largët shërben si një lloj taksie, pasi banorët e përdorin për të kryer punët e zakonshme ditore, shkruan Anadolu Agency (AA).

Megjithatë ”tuk-tuku“ në Sri Lankë shërben edhe për qëllime turistike, më saktësisht për bartjen e njerëzve të cilët kanë ardhur nga larg, për të shijuar bukuritë e këtij vendi.

Dimensionet e vogla që ka, i japin “tuk-tuk-ut”, avantazh ndaj mjeteve tjetra të transportit sepse e bëjnë të lëviz shumë më lehtë në zonat e mbipopulluara.

Sri Lanka njihet botërisht për pyjet tropikale, fushat e çajit, orizit dhe kauçukut, megjithatë çaji mbetet burimi kryesor i të ardhurave.

Bëhet fjalë për një shtet në të cilin jetojnë mbi 22 milionë banorë të besimeve dhe kulturave të ndryshme.

Qytetet antike në këtë vend, janë nën mbrojtje të UNESCO-s, ndërsa pallatet dhe ndërtesat tjera paraqesin një dëshmi të traditës shumëvjeçare.

Rreth 74 për qind e popullsisë së Sri Lankës flasin gjuhën singale, 18 për qind gjuhën tamile dhe tetë për qind gjuhë të tjera.