Thaçi: Shkëmbimi i territoreve kurrë nuk do të ndodhë

Në fjalën e tij Thaçi tha se kontributi i diasporës shqiptare ka qenë i jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë dhe për pavarësinë e Kosovës

Në Shqipëri po mbahet Samiti i Dytë i Diasporës Shqiptare, në të cilin marrin pjesë personalitete të diasporës nga vende të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sesionet e ditës së sotme të pranishëm ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vendet e rajonit.

Në fjalën e tij Thaçi tha se kontributi i diasporës shqiptare ka qenë i jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë dhe për pavarësinë e Kosovës.

“Kontributi juaj kudo që jeni në botë ka qenë i jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për lirinë më të avancuar dhe të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ju keni ndarë dhe kafshatën e gojës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndaj liria dhe pavarësia e Kosovës është kontribut i juaji i drejtpërdrejt“, tha Thaçi duke folur për kontributin e diasporës shqiptare.

Thaçi foli edhe për debatet rreth kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. “Shkëmbimi i territoreve kurrë nuk do të ndodhë. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do bëjë pazar me kauzën kombëtare. Pa shkelur mbi trupin tim nuk do të mund ta cenojë kush 1 milimetër territorin e Kosovës. Askush nuk mund ta cenojë as Trpeçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër korrigjimi i kufijve, po. Synimi i institucioneve të Kosovës është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Kosova do të angazhohet vetëm në një proces, sipas tij, ku Bashkimi Evropian e udhëheq dhe e mbështet SHBA.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij tha se nga samiti i shkuar në këtë samit Shqipëria është më e mirë dhe shqiptarët në tërësi janë më mirë. Sipas tij, shqiptarët kudo që bashkohen nuk i mund dot askush.

“Gjuha e Nënë Terezës u bë gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni të Veriut dhe nuk do të kishte Marrëveshje të Prespës, nuk do të kishte Maqedoni të Veriut në NATO dhe nuk mund të ketë Maqedoni të Veriut në BE. Ne jemi më të interesuarit që ai shtet të përparojë dhe të jetë modeli i harmonisë dhe bashkëjetesë mes dy popujve që e formojnë atë”, tha Rama.

Rama tha se sot Kosova dhe shqiptaria përmes Kosovës është përballë një sfide historike. “Historia e Kosovës është historia e bashkimit. Kosova që kemi sot nuk është ende Kosova që duam dhe që duhet të njihet nga të gjithë dhe të ulet njësoj si të gjithë në Kombet e Bashkuara. Kjo është një sfidë për të cilën të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”, deklaroi Rama.

Duke folur për rëndësinë e Samitit të Diasporës, Rama tha se ka ardhur koha që Samiti i Diasporës të zhvillohet edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Samiti i Diasporës qeverinë do ta ketë partnere. Samiti është i juaji dhe është për ju. Ne duam që ju ta merrni samitin në pronësi dhe ne t’ju mbështesim për të organizuar çdo vit nga një samit. Ka ardhur koha që Samiti të bëhet edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët të mblidhen edhe këtu edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut çdo vit”, tha Rama.

Në samitin i cili i zhvillon punimet deri më 2 mars marrin pjesë personalitete të diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës dhe do të organizohen disa panele diskutimi, ku do të trajtohen çështjet si “Vota si e drejtë”, “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm”, “Vendlindja dhe diaspora”, “Identiteti shqiptar”, etj.