Thaçi: Ndryshojmë Kushtetutën për bashkimin e Preshevës me Kosovën

Hashim Thaçi foli prerazi në favor të korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Hashim Thaçi foli prerazi në favor të korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

I cituar nga mediat vendase, Presidenti e bëri të qartë se ky është vizioni i tij dhe se do të punojë në këtë drejtim deri dhe për ndryshimin e dokumentit themeltar të vendit.

“Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, është shprehur Thaçi.

Si për të justifikuar këtë veprim, Thaçi shtoi se gjatë kohës që ishte kryeministër, Kushtetuta është ndryshuar 4 herë. Ai sërish i mëshoi idesë se nuk do të lejojë diskutime për shkëmbime territoresh apo ndarje të Kosovës, por kjo nuk e bind kreun e ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

“Thaçi as të mos e çojë nëpër mend se mund ta mashtrojë Kosovën me idenë e një korrigjimi të lehtë të kufirit me Serbinë”, paralajmëroi Haradinaj.

“Shënjimi i kufirit është proces që vjen pas njohjes. Kufiri ynë ekziston, policia jonë e patrullon. Pra, nuk ka korrigjim e në emër të tij të mos na e luajnë lojën siç e luajtën me Malin e Zi”, ka shtuar kreu i qeverisë në Kosovë,raporton Top Channel.