Tërmeti në Shqipëri, Rama vlerëson me medalje njësitë e Turqisë dhe vendeve të tjera

"Këto dy javë janë një histori, janë në fakt një histori brenda historisë së vendit tonë, një histori e gjallë solidariteti faktik", tha kryeministri Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me ambasadorët e akredituar në Tiranë ka ndarë medalje për njësitë e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe për njësitë turke, që ndihmuan pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit të realizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Rama, ka ndarë “Medaljen e artë për vlerësim profesional” për njësitë dhe ekipet e Turqisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë, Italisë, Francës, Izraelit, Greqisë, Rumanisë, Serbisë, Zvicrës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimit Evropian (BE) .

Për Turqinë u nda medalje për njësinë e kërkim-shpëtimit të Ekipit të Menaxhimit të Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) dhe njësinë e kërkim-shpëtimit të grupit GEA.

Kryeministri Rama, gjatë fjalës në takimin me ambasadorët shprehu vlerësim edhe për ekipet e shpëtimit të Shqipërisë, që sipas tij, punuan përkrah francezëve, italianëve, turqve, rumunëve , grekëve, kroatëve, serbëve, kosovarëve, krah për krah njëri-tjetrit.

“Këto dy javë janë një histori, janë në fakt një histori brenda historisë së vendit tonë, një histori e gjallë solidariteti faktik, solidariteti që si fjalë ne e përdorim vijimisht, por që në këto dy javë ne e pamë të mishëruar në njerëz, flamuj të ndryshëm, uniforma të ndryshme, në gjuhë të ndryshme”, u shpreh Rama.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, të cilit iu dorëzuan medaljet për njësitë nga Turqia, tha se në fakt “ne të gjithë e kemi përjetuar, kemi jetuar këtë gjë që ndodhi, këtë tërmet katastrofik në orët e para të mëngjesit të datës 26 nëntor”.

“Si komb, si vend, ashtu siç kemi përjetuar edhe ne këtë shije të hidhur të këtyre fatkeqësive natyrore në vendin tonë, ne e ndjemë një detyrë krejt të natyrshme që të ndihmonim shtetin tonë mik, vëllezërit dhe motrat tona shqiptare. Së pari, ishte në fakt detyrë humanitare kjo e jona sigurisht. Në emër të presidentit tim, të shtetit tim, të kombit tim, faleminderit që na dhatë mundësitë të t’ju ndihmonim”, tha ambasadori turk, duke shprehur në emër të Turqisë ngushëllimet për viktimat dhe duke uruar shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.

Pas tërmetit, ekipet e Autoritetit Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit (UMKE) pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë dhe ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Turke mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar ndërtimin e 500 njësive të banimit në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.

Kujtojmë se tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.