Telekomi i Kosovës shkëput kontratën me Z- Mobile

Kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile ka përfunduar. Shkëputjen e kontratës e ka bërë  Bordi i Drejtorëve të Telekomit, derisa vendimi hynë në fuqi nga dita e sotme.

Raportohet se vendimi për shkëputjen e kësaj kontrate është marr dje në takimin që është mbajtur e që ka zgjatur për disa orë.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi do të shpall publikisht përfundimin e negociatave e të çdo raporti kontraktues në mes të dy kompanive me 31 korrik 2019.

Aktualisht punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë të përgjithshme me qëllim të parandalimit të lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, teksa ata po paralajmërojnë edhe padi ndaj kësaj kompanie

Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, ka thënë se për punëtorët e kësaj ndërmarrje, kontrata me Z-Mobilen tashmë ka marrë fund.

“Kjo kontratë duhet të përfundohet më 30 korrik. Për ne gjithçka është e papranueshme. Çdo gjë që ndodh pas kësaj date është e papranueshme. Nesër është data e fundit dhe besoj fuqishëm që duhet të merret një vendim pozitiv për Telekomin sepse çdo vendim tjetër shkatërron edhe një herë Telekomin. Jemi për të mos vazhduar kontrata. U kemi bë apel të gjithëve edhe nga kjo studio edhe me shkresa zyrtare. Besoj se edhe bordi edhe menaxhmenti duhet me dalë me një vendim pozitiv për Telekomin e jo në disfavor. Nuk duhet të vazhdohet”.

Ai ka theksuar se punëtorët e Telekomit në asnjë mënyrë do të pranojnë lidhje e një kontrate të re me Z-Mobile.

Telekomi i Kosovës dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën kompania e Devollëve bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vjet pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Shkëputjen e kontratës mes Telekomit dhe Z-Mobile e kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe  deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që Kontrata e Telekomit me Z-Mobile të mos vazhdohet.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G. /Monitor.al