Të Hënën mbahet seanca e Kuvendit për votimin e qeverisë në Kosovë

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit, pason një kërkesë nga ana e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, për caktimin e seancës plenare.

Kryesia e Kuvendi të Kosovës, ka vendosur që me datë 3 shkurt në ora 11 të mbahet seanca plenare për votimin e qeverisë së re të Kosovës.

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit, pason një kërkesë nga ana e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, për caktimin e seancës plenare.

Por, Kurti ende nuk ka arritur ta finalizojë marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, çka e bën të paqartë sigurimin e shumicës prej 61 votave në Kuvend për formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë një paraqitjeje për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë, u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje midis LDK-së dhe VV-së para datës 3 shkurt.

“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare. Unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti”, tha Konjufca.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit, Ramush Haradinaj pasi mori ftesë për tu intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor.