Takimi Rama-Merkel, Rama pranon kushtet e reja: BE më e ngurtë, do bëjmë çmos për integrimin

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Berlini pas takimit me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, duke pranuar se Shqipërisë i duhet të plotësojë të tjera kushte për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se i gjithë procesi i integrimit është i kushtëzuar dhe bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, duke shtuar se duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, transmeton Balkanweb.

“Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte”, është shprehur Rama.

Më tej, kryeministri Rama ka thënë nga Berlini se Kancelarja Merkel ka pasur një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë, po sipas tij, procesi duhet të kalojë përmes Bundestagut, diskutimeve në grupe, të cilët kanë ide dhe qasje të ndryshme. Por, pavarësisht pengesave, Rama ka theksuar se do bëjë çmos që Shqipëria të hyjë në një fazë të re të rrugës sonë europiane.

“Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë. Megjithatë, Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”, ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare.