Shqipëri, censi i popullsisë do të realizohet në vitin 2020

INSTAT ka planifikuar të realizojë censin e popullsisë dhe banesave në vitin 2020, i cili do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit

Në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme është organizuar konferenca prezantuese e “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020”, nën kujdesin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) dhe në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Drejtoresha e përgjithshme e komanduar e INSTAT-it, Elsa Dhuli, në hapje të aktivitetit tha se censi 2020 do të realizohet sipas standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara(OKB) dhe Bashkimi Evropian(BE).

“INSTAT ka angazhuar të gjitha resurset e tij dhe po i kushton vëmendjen maksimale këtij procesi statistikor. Censi është bazë për ndërtimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm statistikor dhe politikëbërës. Ky cens, në përputhje të plotë me të gjitha standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që të jetë i suksesshëm të arrijë objektivat e tij duhet të ketë angazhimin e gjithë aktorëve në vend”, theksoi Dhuli.

Erjon Luçi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, theksoi gjatë fjalës në aktivitet se kontributi i Qeverisë së Shqipërisë për censin është i rëndësishëm.

“Censi do jetë i rëndësishëm për politikëbërjen, por do ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën sesi ne bëjmë politikat buxhetore, sektoriale apo edhe territoriale. Mund të jetë ndër burimet e informacionit më kyçe për kërkimet apo politikëbërjen në të paktën 5-10 vitet e ardhshme”, tha Luçi.

Në konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi se ky cens do të ketë rëndësi për informacionet e besueshme.

“Sot jemi këtu për të diskutuar sfidën e radhës të INSTAT, censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2020. Ky cens do të ketë rëndësi shumë të madhe për të dhënë në fakt një informacion të besueshëm, për të hartuar dhe vlerësuar politikat të cilat bazohen tek shifrat si dhe planifikimin e shërbimeve publike”, tha Soreca.

INSTAT ka planifikuar të realizojë censin e popullsisë dhe banesave në vitin 2020, i cili do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit.

Sipas INSTAT, për realizimin e këtij censi do të merren në konsideratë rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat).

Censi i fundit i popullsisë dhe banesave në Shqipëri është realizuar në vitin 2011.Shqipëri, censi i popullsisë do të realizohet në vitin 2020