Shkup, vazhdon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Protestuesit sot u tubuan para Xhamisë Jahja Pasha, nga ku dhe filloi marshi për t'i mbajtur të bllokuar për rreth dy orë dy udhëkryqet më të frekuentuara të kryeqytetit

Qytetarët e Shkupit për herë të tretë dolën në protesta për të shprehur revoltën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, rritjes së çmimit për 7,4 për qind që është paralajmëruar se do të fillojë nga muaji shtator, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit sot u tubuan para Xhamisë Jahja Pasha, nga ku dhe filloi marshi për t’i mbajtur të bllokuar për rreth dy orë dy udhëkryqet më të frekuentuara të kryeqytetit.

Një pjesë e protestuesve bllokuan udhëkryqin “Mavrovasja”, ndërsa pjesa tjetër me automjete dhe biçikleta bllokuan udhëkryeqin në rrugën “Palloma Bjanka” (Rekord).

Marjan Risteski, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Maqedonisë (KSOM), një nga organizatat joqeveritare që organizojnë protestat, u tha gazetarëve se këtë herë po ndryshojnë strategjinë e protestave. Ai theksoi se këto protesta do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa për metodën apo stilin e protestave mbetet të vendosin.

“Ekspertët e kësaj fushe pohojnë se kjo rritje është e pajustifikuar. Ne duam të dërgojmë një mesazh se nuk mundet më që në Maqedoni, që është vend anëtar i NATO-s dhe do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), të merren këto vendime për shtrenjtimin që drejtpërdrejtë ndikon në standardin e qytetarëve pa asnjë debat”, theksoi Risteski.

Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike sot po ashtu është mbajtur edhe në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Kumanovë, Manastir dhe Prilep.

Kujtojmë se më 31 korrik, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Maqedonisë së Veriut njoftoi se çmimi i energjisë elektrike të paguar nga amvisëritë nga muaji shtator do të rritet me 7,42 për qind, ndërkohë që qytetarët do të mund të përdorin tarifën e lirë në të njëjtën periudhë si më parë.

Sindikatat, organizatat e shoqërisë civile dhe disa parti politike në vend reaguan pas njoftimit të komisionit dhe protesta e parë paqësore kundër paralajmërimit të EVN-së u mbajt më 6 gusht, ndërsa e dyta më 14 gusht.

Protestuesit kërkojnë që Komisioni Rregullator i Energjisë të rrëzojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7,4 për qind dhe më pas të ulë çmimin e energjisë elektrike për 46 për qind, ndërsa nga qeveria kërkojnë që të ulin TVSH-në në energji nga 18 për qind në 5 për qind dhe ta ndajnë monopolin e kompanisë private EVN.

Protestuesit po ashtu kërkojnë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të heqë Komisionin Rregullator të Energjisë dhe të formojë një organ të pavarur që do të ketë mision t’i verifikojë shërbimet e kompanive të energjisë për qytarët.