SHBA vendos të anulojë projektet madhore në Kosovë deri sa të hiqet taksa ndaj Serbisë

“Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim që t’i anulojnë të gjitha projektet e rëndësishme të investimeve të tyre në Kosovë, derisa Qeveria e Kosovës të marrë vendim për anulimin e taksës kundër mallrave të Serbisë.

Ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe i Dërguar Special i Presidentit Trump për dialogun Kosove-Serbi, mësohet se sot ka pasur një komunikim të ashpër dhe të qartë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, të cilëve ua ka bërë të qartë se SHBA-ja është e gatshme të bëjë investime milionëshe në Kosovë, nëse hiqet taksa, raporton OraNews.

“Megjithëkëtë, SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa Qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”, ka thënë ky burim për RTK.

Kjo është bërë e qartë edhe në një postim të ambasadorit Grenell në profilin e tij në Twitter, ku thotë se nuk mund të ketë investime amerikane pa heqjen e taksës.

“Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në Twitter.