Rritet në 105 numri i të vdekurve nga tërmeti në Indonezi

Zëdhënësi i Agjencisë për Fatkeqësi, Sutopo Purwo Nugroho thotë se ka viktima tjera të bllokuara nën rrënojat e xhamive, qendrave të shëndetit, zyrave, shtëpive dhe ndërtesa tjera publike

 Autoritetet e Indonezisë thonë se është rritur në 105 numri i të vdekurve nga tërmeti shtatë ballësh i cili goditi vendin të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Agjencisë për Fatkeqësi, Sutopo Purwo Nugroho, tha se numri më i madh i të vdekurve, janë nga pjesët veriore të ishullit Lombok. “Kjo mbetet një e dhënë paraprake, meqë presim që numri të rritet”, tha ai.

Nugroho thotë se ka viktima tjera të bllokuara nën rrënojat e ndërtesave, për çka aktualisht po bëhen përpjekje për gjetjen dhe nxjerrjen e tyre.

“Ka njerëz nën rrënojat e xhamive, qendrave të shëndetit, zyrave, shtëpive dhe ndërtesa e tjera publike, veçanërisht në veri dhe perëndim të Lombokut”, tha ai.

Siç rrëfen Nugroho, të gjithë të vdekurit janë shtetas indonezianë.

Tërmeti i cili goditi të dielën Indonezinë, rezultoi me 236 të lënduar, mijëra shtëpi të dëmtuara dhe mijëra njerëz të zhvendosur.