Riciklim në koshin e mbeturinave politike

Nga Redi Shehu

Nuk është hera e parë, dhe besoj nuk duhet të jetë as hera e fundit që çuditë e prononcimeve politike mbushin atmosferën mediatike. Pas pushimeve të nxehta të verës, që pasuan një stinë protestash të flakta të opozitës, vijnë edhe deklaratat e para për shtypin e ditës nga ana e kampit opozitar për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje në raport me qeverinë. Për çudinë e të gjithëve, deklarata të cilat flisnin edhe për zgjedhje bashkë me Ramën, filluan t’i japin jetë kësaj fillim vjeshte. Marrëdhëniet Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duket se janë dizintegruar në vetvete dhe aleanca e vrullshme e pranverës është reduktuar tashmë në një marrëdhënie të akullt. Ndërkohë që Partia Socialiste ka përparuar në rrugën e vet të natyrshme të legalizimit politik të kriminalitetit, me një listë përfaqësuesish të inkriminuar, së cilës çdo komisariat policie do t’ia kishte zili.
Në këtë situatë të stanjacionit psiqik, ku e keqja nuk është më thjesht sistem politik, por një proçedurë e e natyrshme që po kaplon çdo pore të shoqërisë tonë, humbja e kuptimit të gjërave është më evidente se kurrë. Shqiptari sot, ndjehet i deformuar psiqikisht, konceptualisht, politikisht, ekonomikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht, duke u reduktuar në një njësi që tashmë nuk mendon por edhe nuk vepron as në mënyrë reflektive. Aftësitë e tij të reagimit reflektiv janë çorientuar sepse qeverisja ka bërë që të humbë kuptimin e vetvetes. Këtë nder, po ja bën edhe opozita e cila, pasi harroi ulëritjet e mitingjeve, situatën e pakompromis të ndërtuar në bulevard, i kthehet zyrave me kollare për një pakt të mundshëm me Ramën duke legalizuar, legalizmin e kriminalitetit qeverisës.
Fjalët patën shterruar herën e parë, pastaj fjalët patën shterruar përsëri herën e dytë, ndërsa herën e tretë ato që shterruan nuk ishin fjalët, por dëshirat dhe shpresat për ta përmirësuar këtë vend. Pikërisht, kontributi më i madh i qeverisë Rama është në krijimin e “ndjenjave të drunjta” të shqiptarëve, të cilët, jashtë çdo elasticiteti politik, jashtë çdo bazamenti moral, u kthyen në pauses të verbër të aktrimit politik. Teatri më i madh, i cili nuk do shembet kurrë, është teatri i qeverisjes. Ai nuk ka nevojë për PPP që të mbijetojë ekonommikisht, ai është i pavdekshëm për sa kohë armata e “ndjenjave të drunjta” në mënryë robotizuar ripërsërit inercinë e vet politike.
Oferta e opozitës po duket se nuk ishte një ofertë e qëndrueshme. Opozita e bashkuar po rezulton se nuk ishte e tillë, por një bashkim rastësor i interesave jashtë çdo ideali apo synimi parimor. Tani që opozita, si shpresa e vetme për të përmirësuar gjërat, gjunjëzohet politikisht dhe modelon termat e veta të diskursit politik e publik, atëhere, jo opozitë e opozitës, por asnjë farë qëndrimi nuk i bën derman. As edhe striptiza e analizave politike që si lavjerësi i një ore kalon herë nga njëri qëndrim tek qëndrimi tjeter opozitar, nuk ka për të zgjidhur problemin.
“Jemi gati për një marrëveshje me kushte, një marrëveshje pacifiste dhe evropianiste” – thotë Dashamir Shehi, i cili është një ndër fosilet e gjalla më të vjetra të politikës. Ai flet për një reformë tërësore, kushtetuese, zgjedhore e ku ta di unë se çfarë. Është pikërisht këtu që shqiptari humb të gjitha ndjenjat, jo vetëm politike. Si mundet që të ndërtohet e reja nga fosilet ? Po si mundet të tallemi kaq kollaj me aspiratat dhe ëndrrat e mijëra shqiptarëve që dolën rrugëve dhe ishin gati për t’u sakrifikuar nën himnin opozitar ? Po a ka më moral politik që të bëhet një marrëveshje e dytë me Ramën?
Kryeministri Rama duket më i qetë se kurrë në deformimin e vet qeverisës. Atij as që nuk i bëhet fare vone nëse ekziston diçka që quhet opozitë, madje as diçka që quhej opozitë e bashkuar. Kjo sepse për llogari të tij më mirë se kurrkush tjetër ka punuar dhe po punon kjo opozita e bashkuar me çorientimin total të saj. Ishte aq e qartë që në krye të herës, që në ditët e ftohta të shkurtit të këtij viti, se aksioni opozitar ekstrem, që nga braktisja e mandateve e deri tek masat për të pamundësuar zgjedhjet e 30 Qershorit, ishin veprime të destinuara për të dështuar. E kam pas shkruar vazhdimisht dhe thënë po ashtu në pothuaj të gjitha mediat, se plani i opozitës së bashkuar ishte jashtë çdo reference politike dhe për pasojë nuk do të njihej, madje do të bllokohej nga faktori ndërkombëtar, i cili realizon qeverisjen reale te Shqipërisë në termat e politikave të mëdha.
Tani, duhet që për të pafundmen herë të futemi në rrethin vicioz të riciklimit, pas tridhjetë vitesh. Jemi bërë si ata që kontrollojnë në koshat e plehrave ndonjë material me vlerë, me shpresë për ta ricikluar përkundrejt ndonjë kotherje që t’ua mbajë gjallë frymën. Edhe ne, për tridhjetë vite me radhë, të nëjtën gjë kemi bërë. Kemi kontrolluar në mënyrë të vazhdueshmë ne koshin e mbeturinave të politikës shqiptare, për ndonjë material (lexo njerëz) të riciklueshëm, në këmbim të diçkaje më të më mirë se e tashmja mbytëse.