Rama mbi angazhimin e OSBE-së për krizën në Bjellorusi: Kërkohet aprovimi i të dyja palëve

"Lidershipi ynë i OSBE-së ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE-së për Minskun", theksoi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka reaguar në lidhje me përfshirjen e mundshme të organizatës dhe mbi diskutimet mbi çështjen e krizës në Bjellorusi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Rama thekson se “Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.”

“Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”, shprehet kryeministri Rama.

Rama thekson më tej se “Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE-së ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE-së për Minskun”.

Sipas informacioneve zyrtare nga OSBE, është paraqitur një ofertë zyrtare në qeverinë e Bjellorusisë për një vizitë nga kryetari i OSBE-së, kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, që merr kryesimin e ardhshëm të organizatës, për takime me përfaqësuesit e qeverisë dhe përfaqësuesit e opozitës.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për një angazhim të mundshëm të OSBE-së në vendosjen e dialogut mes palëve në Bjellorusi.

Kujtojmë se protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në gjithë Bjellorusinë. Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya, grumbulloi vetëm 10,12 për qind të votave.