Qiproja Veriore shënon 44 vjetorin e operacionit paqësor turk

Ishulli ngelet i ndarë që nga viti 1974, kur ushtria turke intervenoi nën statusin garantues të Ankarasë për të mbrojtur komunitetin turk

Kanë kaluar 44 vite që kur Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) filluan një operacion të paqes në Qipro për t’i dhënë fund shtypjes dhe mizorisë së palës greke dhe për të mbrojtur jetën dhe lirinë e komunitetit turk në ishull, shkruan Anadolu Agency (AA).

Operacioni i nisur në vitin 1974 nën kodin “Ayse Tatile Ciksin” (Ajshe duhet të shkojë në pushime) ndaloi gjakderdhjen në ishull.

Dhuna shpërtheu pas një përpjekjeje greko-qipriote për ta bashkuar me forcë Qipron me Greqinë, e cila atëherë qeverisej nga një juntë ushtarake. Turqia dërgoi 40.000 trupa në kuadër të Operacionit të Paqes në Qipro në veri të ishullit.

Zhvillimet që pëgatitën skenën për Operacionin e Paqes në Qipro filluan në vitin 1959 me nënshkrimin e Marrëveshjeve të Londrës dhe Zyrihut mes Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me themelimin e Republikës së Qipros bazuar në barazinë e të drejtave.

Megjithatë, turqit qipriotë, të cilët ishin sulmuar që nga viti 1963 nga grupet e armatosura greke qipriote, u larguan nga administrata shtetërore me presion dhe shtypje.

Sulmet dhe embargot e kryera kundër komunitetit turk nga grekët, të cilët qeverisjen e ishullit dëshironin t’ia kalonin Greqisë, u rritën midis viteve 1963-1974.

Mizoritë kundër komunitetit turk

Ultra-nacionalisti dhe antiturku Nikos Sampson, një nga udhëheqësit e EOKA B, organizatë paraushtarake greke qipriote e formuar në vitin 1971, rrëzoi presidentin e atëhershëm Makarios më 15 korrik 1974 me mbështetjen e juntës ushtarake greke të asaj periudhe.

Kur lajmi i puçit arriti në Ankara, u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Kryeministri i atëhershëm i Turqisë, Bülent Ecevit, e udhëzoi TSK-në të përgatitet për një operacion të mundshëm në Qipro.

Opinioni publik botëror, në përgjigje të qeverisë ushtarake të Qipros, do të krijonte gjithashtu një mjedis në favor të Turqisë.

Më 20 korrik 1974, Ecevit njoftoi fillimin e operacionit, për të cilin ai tha se “do të ketë një kontribut i madh për njerëzimin dhe paqen”.

Operacioni përfundoi më 22 korrik pas një thirrjeje nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Më vonë, autoritetet amerikane dhe britanike ndërmjetësuan për një armëpushim midis Turqisë dhe Greqisë.

Me ndihmën e operacionit, autostrada Lefkosa-Girne u mor nën kontroll dhe u sigurua lidhja e pjesës turke të Lefkosës me detin. Përveç kësaj, në zonat e tjera banuara, sidomos në Magosa (Famagusta), siguria e turqve nuk u garantua plotësisht.

Më 22 korrik, Nikos Sampson, i mbështetur nga Greqia, dha dorëheqje nga posti i tij, ndërsa operacioni shkaktoi 57 ushtarë të martirizuar dhe 184 të tjerë të plagosur.

Bisedimet e Gjenevës

Bisedimet e paqes për Qipron filluan në Gjenevë më 25 korrik 1974, pas rënies së juntës ushtarake greke më 23 korrik të atij viti kryesisht për shkak të ngjarjeve në Qipro.

Bisedimet në Gjenevë përfunduan më 30 korrik.

Edhe pse palët dëshironin vazhdimin e armëpushimit, forcat greke qipriote nisën një sulm në pjesën perëndimore të Girnes (Kyrenia) më 6 gusht.

Palët u takuan për herë të dytë në Gjenevë për të diskutuar kushtet e paqes. Udhëheqësi i atëhershëm qipriot turk Rauf Denktaş dhe kreu qipriot grek Glafcos Clerides morën pjesë në negociata.

Delegacioni që përfaqësoi turqit qipriotë deklaroi se ishulli kishte nevojë për një kushtetutë të re dhe se duhej krijuar një sistem federal dhe 34 për qind e territorit duhej t’i përkiste pjesës turke.

Pasi grekët qipriotë dhe Greqia kundërshtuan kërkesat e palës turke, konferenca përfundoi pa asnjë rezultat.

Ende nuk ka zgjidhje

Më 14 gusht 1974, Turqia nisi një operacion të dytë për të shpëtuar rajonet nga pushtimi grek. Gjatë operacionit, një numër i varreve masive të civilëve turq u gjetën në qytetet turke.

Në shtator, palët shkëmbyen të burgosurit në të ashtuquajturën Linjën e Gjelbër, linjë armëpushimi që ndan dy komunitetet në ishull.

Pas suksesit të operacionit, Shteti i Federuar Turk i Qipros u themelua më 13 shkurt 1975 dhe Rauf Denktaş u zgjodh president.

Më 15 nëntor 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore.

Megjithatë, ishulli është ende duke pritur zgjidhje. OKB ka kërkuar një marrëveshje paqeje për të bashkuar Qipron nën një ombrellë federale që mund të përcaktojë gjithashtu të ardhmen e marrëdhënieve të Evropës me Turqinë si lojtar kyç në këtë mosmarrëveshje.

Përpjekja më e fundit për ribashkimin e ishullit të ndarë të Mesdheut përfundoi pa sukses në vitin 2017 pas dy vitesh negociata.