Profesionistët e transplantimit të organeve do të takohen në Turqi

Afër 1.500 shkencëtarë nga e mbarë bota do të takohen për herë të parë në Kongresin e Rrjetit Ndërkombëtar të Transplantimit të Organeve që do të mbahet në tetor në Turqi

Afër 1.500 shkencëtarë nga e mbarë bota do të takohen për herë të parë në Kongresin e Rrjetit Ndërkombëtar të Transplantimit të Organeve (International Transplant Network Congress) që do të mbahet në muajin tetor në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i Fondacionit Turk të Transplantimit të Organeve (TONV) mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Transplantimit të Organeve të organizuar në kryeqytetin spanjoll Madrid nga ana e Shoqërisë së Transplantimit (Transplantation Society), shoqatës më të madhe në botë në këtë fushë.

Në stendën e hapur për informimin e punimeve dhe programeve shkencore në Turqi, profesionistë shëndetësorë nga fusha e transplantimit dhe fushave relevante nga shtetet e zhvilluara dhe në zhvillim bënë shpalljen e “Kongresit të Parë të Rrjetit Ndërkombëtar të Transplantimit të Organeve”.

Kongresi ndërkombëtar do të mbahet mes datave 17-21 tetor të këtij viti në Turqi, ndërsa do të marrin pjesë rreth një mijë shkencëtarë nga 76 vende, përfshirë vendet evropiane si Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe Senegalin, Nigerinë, Kenian, Etiopinë, Egjiptin, Malajzinë, Indinë, Pakistanin, Marokun, Tunizinë dhe Algjerinë si dhe 500 shkencëtarë nga Turqia.

Shumë figura të shquara botërisht në fushën e transplantit do të marrin pjesë në kongres si folës dhe kryesues të seancave. Në kongres do të realizohen 144 seanca në kategori të ndryshme.

Temat që do të trajtohen do të përfshijnë praktikat e fundit në transplantimin e zemrës, mushkërive, mëlçisë dhe veshkave, teknologjitë e reja në transplantimin e organeve, punimet ndërkombëtare për parandalimin e krimeve të lidhura me transplantimin, dimensionet etike dhe ligjore gjatë transplantimit, infermierinë e transplantimit dhe kujdesi intensiv gjatë transplantimit.

Eyüp Kahveci, kryetar i TONV-së, tha për AA se kongresi i cili do të organizohet për herë të parë në Turqi është shumë i rëndësishëm për vendin.

Ai e cilësoi kongresin si vendtakim i rëndësishëm i cili do të tubojë profesionistët shëndetësorë nga shtetet në zhvillim dhe shtetet e pakta dhe profesionistët e transplantimit të organeve nga shtetet e zhvilluara.

“Do të jetë një aktivitet shkencor i cili do të ofrojë dobi të shumëanshme mbi bazat e ndarjes së informacioneve dhe përvojave”, theksoi Kahveci.