Problemet teknike të Telekomit rrezikojnë sigurinë nacionale

Telekomi i Kosovës, i cili po përballet me probleme financiare, gjatë ditëve të fundit është ballafaquar edhe me probleme teknike në sistemin operativ, të cilat thuhet se u eliminuan të premten.

Megjithatë, mosfunksionimi në nivel të duhur i telekomunikimit ka ngritur shqetësime të mëdha për shkak se ndikon edhe në sigurinë nacionale, marrë parasysh që problemet e krijuara përgjatë dy ditëve, vështirësuan edhe komunikimin me numrat e emergjencave.

Operatori Vala që funksionon në kuadër të Telekomit, ka më shumë se 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Qëndresa Arifi, një qytetare nga Prishtina, tregon se nuk ka arritur të shfrytëzojë asnjë shërbim nga Telekomi i Kosovës gjatë dy ditëve të fundit. Ajo thotë se nuk ka pranuar asnjë thirrje dhe nuk ka mundur të bëjë thirrje përmes lidhjeve telefonike.

“Këto dy ditët e fundit kam pasur shumë problem me komunikim me telefon për shkak se Vala ka pasur probleme. Nuk kam mundur as të pranoj thirrje, e as të bëj thirrje”, thotë ajo.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet kanë ardhur si pasojë e ngarkesës së rrjetit, por që si të tilla, sipas tij, janë eliminuar tani. Ai thotë se sistemi është plotësisht funksional dhe të gjithë konsumatorët tani mund të komunikojnë pa pengesa.

“Siç kemi njoftuar edhe më herët, problemet teknike në sistemin operativ të Valës kanë shkaktuar pengesa në komunikim në disa zona të caktuara gjatë ditëve të fundit, dhe kjo ka ardhur si pasojë e ngarkesës së madhe që ka pasur në rrjet, mirëpo ekipet e kompanisë sonë kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar problemet e shfaqura dhe për rrjedhojë të gjitha problemet teknike në sistemin tonë operativ janë eliminuar dhe shpresojmë të mos përsëriten”, thotë Bilalli.

Ai tregon se mirëmbajtja e sistemit operativ ka kosto të lartë dhe se është më se e domosdoshme që të bëhen investime në këtë rrjet të telekomunikimit, pasi që një rënie e sistemit, krijon problem të mëdha

“Ne tani kemi pasur disa orientime strategjike për ta mirëmbajtur këtë sistem, kemi njoftuar edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe i kemi adresuar kërkesat tona për domosdoshmërinë e mirëmbajtjes dhe investimeve në këtë rrjet. Është pikërisht ajo që ne e kemi ngritur si shqetësim, se me rënien e sistemit, bëhet fjalë për sigurinë nacionale të shtetit pasi që shumë zyra, njësi të shtetit tonë funksionojnë me Telekomin e Kosovës”, thotë Bilalli.

Ndërkohë, Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo se çfarë ka ndodhur në ditët e fundit me sistemin operativ të Telekomit të Kosovës, nuk do të duhej të ndodhte, pasi që rrezikon sigurinë nacionale.

“Kjo ka ndikim shumë të madh në sigurinë nacionale pasi që të gjitha telekomunikimet sot bëhen përmes rrjetit mobil dhe është e rëndësishme që rrjeti mobil të jetë funksional dhe kualiteti i shërbimeve të jetë i duhur dhe i nevojshëm”.

“Prioritet numër një për Telekomin e Kosovës duhet të jetë funksionimi normal i rrjetit. Problemet që shkakton një rënie e tillë e sistemit operativ të Telekomit të Kosovës është se afekton edhe shërbimet emergjente, pasi që janë të lidhura me rrjetin mobil”, thotë ai. /Radio Evropa e Lirë