Shkolla “Ruzhdije”, në Prizren do t’i nënshtrohet restaurimit, falë investimit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për restaurimin e shkollës mes TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se “investimet në trashëgiminë kulturore ndikojnë jo vetëm në zhvillimin e turizmit, por edhe të ekonomisë në këtë komunë”.
Sipas tij, me këtë memorandum bashkëpunimi janë ndarë edhe detyrimet që ka secili institucion i përfshirë në këtë projekt.
Burak Ceran, koordinator i përgjithshëm në TIKA shkollën “Ruzhdije”, e cilësoi këtë shkollë një objekt shumë të rëndësishëm të trashëgimisë së Prizrenit.
“Ka përfunduar hartimi i projekteve për xhaminë e Gazi Mehmet Pashës, për shkollën “Ruzhdije” në Prizren dhe për “Ruzhdije” në Gjakovë , të cilat janë dorëzuar në qendrat e trashëgimisë kulturore. Projektet e përgatitura për zbatimin e këtyre projekteve janë hartuar mes ekspertëve të Turqisë dhe Kosovës dhe pas shqyrtimit që do të bëhet nga Qendra e Trashëgimore Kulturore dhe Instituti i Kosovës për mbrojtjen e monumenteve do kalohet në fazën e zbatimit të këtyre projekteve”, theksoi ai.
Veton Ferizi, sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shprehu besimin se bashkëpunime të tilla me TIKA-n të vazhdojnë edhe më tej. /KosovaPress