Policia arreston disa persona në Elbasan

Dhunë bashkëshortes, të dehur në timon dhe pa lejedrejtim...

Gjashtë shtetas kanë rënë pranga në Elbasan pasi u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Po kështu u arrestua dhe një 49-vjeçar, për veprën penale “Dhunë në familje”.

Mbi të arrestuarit policia njofton se bëhet fjalë për:

• A. B., 24 vjeç, banues në fshatin Poroçan, Gramsh. Pasditen e djeshme, në aksin rrugor Gramsh-Poroçan, shtetasi A. B., duke drejtuar mjetin tip furgon nën ndikimin e alkoolit, humbi kontrollin dhe mjeti doli nga rruga. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. Ll. dhe u plagosën shtetasit Sh. P., N. K., B. Q., E. Q., R. B., dhe B. Ç., pasagjerë në mjet, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të hetimit u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi B. Q. (pasagjer), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

• S. D., 39 vjeç, banues në fshatin Derstilë, Elbasan, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi;

• G. Sh., 42 vjeç, banues në Gjinar, Elbasan, pasi në aksin rrugor Elbasan-Gjinar, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, për pasojë është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

•A. Xh., 55 vjeç, banues në Elbasan, pasi në rrugën “Qemal Stafa”, Elbasan, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga. Ky shtetas është larguar nga vendngjarja, por falë veprimeve të shpejta u kap nga shërbimet e Policisë.

• R. P., 31 vjeç, banues në Elbasan dhe A. D., 42 vjeç, banues në Godolesh, Elbasan, pasi në aksin rrugor Elbasan- Godolesh, shtetasi R. P., duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përplasur me një motoçikletë që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi A. D.


Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. P., 49 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.