Pendarovski dhe Zaev përkujtojnë përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

“Nderime për mbi 8.000 njerëz - viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Ata u vranë vetëm sepse ishin muslimanë boshnjakë”, ka thënë Presidenti i Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe kryeministri Zoran Zaev publikuan mesazhe me rastin e 26-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, i cili konsiderohet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pendarovski theksoi në mediat sociale se nderojnë më shumë se 8.000 viktima të gjenocidit të Srebrenicës.

“Nderime për mbi 8.000 njerëz – viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Ata u vranë vetëm sepse ishin muslimanë boshnjakë”, shkroi Pendarovski.

“Është detyra jonë e brezit të kujtojmë këtë krim kundër njerëzimit në mënyrë që të mos ndodhë kurrë më”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev gjithashtu postoi një mesazh në mediat sociale me këtë rast, duke theksuar se krimi kundër njerëzimit kundër popullatës civile në Srebrenicë në vitin 1995 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën mbi tmerret e luftës dhe format ekstreme të nacionalizmit, të cilat bota demokratike gjithmonë do t’i dënojë.

“Populli boshnjak dhe bota sot, në 26-vjetorin e një prej ngjarjeve më tragjike në historinë e fundit të njerëzimit, kujtojnë këtë humbje të madhe të vlerave të civilizimit dhe përkujtojnë mijëra viktima të pafajshme”, ka thënë Zaev.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, si pjesë e familjes së kombeve evropiane, u bashkua me apelin në Rezolutën e Parlamentit Evropian të 15 janarit 2009, e cila thotë se “krime të tilla të tmerrshme nuk duhet të përsëriten kurrë dhe 11 korriku duhet të shpallet Dita e Përkujtimit dhe dënimit më të fortë të gjenocidit të Srebrenicës”.