Pas Amerikës, edhe Gjermania fillon ndërtimin e Ambasadës së re në Kosovë

Rreth 5 vite më parë në Kosovë kishte filluar ndërtimi i Ambasadës më të madhe në Ballkan, e që është ajo e SHBA-së. Kjo ambasadë është përuruar ditë më parë. Ndërtimi i objektit gjigant, kushtoi plotë 250 milionë dollarë. E një investim të tillë tash po planifikon ta bëjë edhe Gjermania. Ky shtet brenda pesë viteve po planifikon ta ketë një objekt të ri të Ambasadës në qendër të Prishtinës. Tashmë është ndarë edhe lokacioni.

Pas amerikanëve edhe gjermanët kanë vendosur që ta forcojnë “bazën” e tyre në Kosovë. Ata po planifikojnë që të ndërtojnë Ambasadën e re në afërsi të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Për ketë objekt ata e kane marrë dritën e gjelbër nga Komuna e Prishtinës.
Kontrata për shfrytëzimin kësaj prone është nënshkruar ditë më parë mes ambasadorit Gjerman dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ambasadori Christian Heldt është shprehur i gëzuar për hapin e parë “të rëndësishëm për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës Gjermane”.
Ai ka falënderuar Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme.

“Ndërtimi i objektit të ri të Ambasadës Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është një hap i ri veçanërisht domethënës në raportet tona bilaterale. Objekti i ri do të jetë një vend për takime dhe shkëmbime të hapura, të cilin edhe nga aspekti mjedisor dëshirojmë ta ndërtojmë në përputhje me standardet më të larta. Objekti i ri i ambasadës duhet të jetë shembull për urbanizëm miqësor dhe të gjelbër”.

Heldt ka thënë se ndërtimi i Ambasadës Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është një hap i ri veçanërisht domethënës në raportet bilaterale Kosovë – Gjermani.
Ndërtimi i objekti të ri të Ambasadës Gjermane do të planifikohet dhe kryhet gjatë viteve të ardhshme sipas standardeve më të larta gjermane dhe evropiane.
Kurse, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka konfirmuar se objekti i Ambasadës Gjermane do të ndërtohet afër QKUK-së.
“Objekti i ri i Ambasadës Gjermane do të ndërtohet afër QKUK’së. Bëhet fjalë për një pronë e cila ka qenë e QKUK-së nga e cila kanë hequr dorë me vendim të Qeverisë, ndërsa pjesa tjetër është ka qenë pronë e Komunës. Saktësisht, diku pas “lunaparkut” në drejtim nga Mati 1”.
Ahmeti gjithashtu ka treguar se për arritjen e kësaj marrëveshje, janë dashur një vit derisa të përcaktohej lokacioni i përshtatshëm për të dyja palët. Ndërsa për finalizimin e projektit shtetit Gjerman do t’i duhen përafërsisht edhe 5 vjet.

Objekti 250 milonësh i Amerikës në Prishtinë

Në 243-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, është përuruar objekti i ri i Ambasadës së këtij shteti në Prishtinë.
Në një ceremoni solemne, është thënë se investimi i madh tregon për lidhjen e veçantë e të fortë të Amerikës me Kosovën.
Ambasadori amerikan në vend, Philip Kosnnet, ka thënë se beson në aftësinë e popullit të Kosovës, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Ndërtimi i objektit gjigant, i ka kushtuar Amerikës plotë 250 milionë dollarë, ndërsa pritet që brenda saj të punojnë rreth 700 persona.
Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk është e zakonshme, e as e thjeshtë. Aty nuk do të jetë vetëm vendi ku do të merren vizat, pasi që kjo ndërtesë, do të ketë edhe një rezidencë për trupat e marinës amerikane.
E shtrirë në afro 5 hektarë, Ambasada ka një hapësirë prej 15.800 metra katrorë.
Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Kosovën dhe Zyra u bë Ambasadë. Që nga viti 1999, qeveria e SHBA-së ka investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollarë, dhe ka ndërtuar një objekt të ri të ambasadës me vlerë shumëmilionëshe në dollarë, që është më 4 korrik 2019, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. /Monitor