Palestinezët luftojnë me kolonët hebrenjë për tokat e tyre

Palestinezët tërheqin vëmendjen se vlera shpirtërore e këtyre hapësirave është shumë më e madhe se ajo financiare, pavarësisht presioneve nga Izraeli dhe kolonët hebrenjë

Kolonët hebrenjë në qytetin El Halil (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor të okupuar nga Izraeli, përpiqen të blejnë pronat e palestinezëve me forcë duke i dëmtuar ato.

Ndërsa palestinezët tërheqin vëmendjen se vlera shpirtërore e këtyre hapësirave është shumë më e madhe se ajo financiare, pavarësisht presioneve nga Izraeli dhe kolonët hebrenjë.

Abdurraif el-Muhtesib, një ndër palestinezët që është ekspozuar në presionet e kolonëve hebrenjë në El Halil, përkundër presioneve çdo mëngjes hap dyqanin e tij për të shitur produktet tradicionale të vendit, në kërkim të mbështetjes për familjen.

61 vjeçari palestinez jeton me bashkëshorten dhe të birin, ndërsa vazhdon të ruajë shtëpinë dhe dyqanin e tij përkundër frikës së zbatuar nga kolonët hebrenjë.

Ai në deklaratën për Anadolu Agency (AA) thotë se, ka pasur oferta nga shoqatat e kolonëve hebrenjë që të shes dyqanin dhe shtëpinë, ku ofertat kanë arritur deri 100 milionë dollarë, por ai ka refuzuar.

Muhtesib thekson se vendi i tij kushton rreth 1 milion dollar, por se vlera shpirtërore e saj është shumë më e lartë. “Këto janë tokat, feja dhe atdheu i ynë, nëse i shesim këto kjo do të thotë se i kemi ndërruar me mallin botëror”, u shpreh ai.

Palestinezi gjithashtu tregon se shtëpia dhe dyqani i tij shumë herë ka qenë cak i sulmeve.

– Qyteti El Halil 

Rreth 600 kolonë hebrenjë që jetojnë në qytetin e vjetër të El Halilit në Bregun Perëndimorë, mbrohen nga 1.500 ushtarë izraelitë.

Me marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Palestinës në vitin 1997, qyteti ishte ndarë në dy pjesë edhe atë H1 dhe H2. Pjesa prej 80 për qind është nën kontrollin palestinez, ndërsa 20 për qind në aspektin e sigurisë nën kontrollin e palës izraelite, ndërsa administrative në palën palestineze.

Burimet e të dyja palëve tregojnë se në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor jetojnë rreth 650.000 kolonë hebrenjë.

Zyrtarët izraelitë palestinezët nuk i lejojnë të hyjnë në El Halil me automjetet e tyre, ndërsa i lejon kolonët hebrenjë.

Forcat palestineze edhe në raste emergjente me ambulancë duhet të kërkojnë leje nga zyratarët izraelitë.

– Xhamia Harem-i Ibrahim

Në shpellën nën Xhaminë Harem-i Ibrahim, përveç varreve të profetit Ibrahim dhe bashkëshortes së tij gjenden edhe të profetëve Ishak, Jakup dhe Jusuf, si dhe bashkëshortet e tyre.

Xhamia e cila gjendet në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, ishte mbyllur pasi një fanatik hebre kishte hapur zjarr mbi muslimanët që faleshin namazin e mëngjesit më 25 shkurt 1994. Ndërsa pasi ishte rihapur, më shumë se gjysma e saj u ishte ndarë hebrenjëve.

Në këtë sulm të quajtur si masakra e Xhamisë El Halil (Harem-i Ibrahim), ishin martirizuar 29 palestinezë, ndërsa ishin plagosur mbi 150 të tjerë.