Operacioni “Tuneli”, arrestohet një nga tre shqiptarët e arratisur

Ka përfunduar arratisja për shqiptarin Klaidi Kaca, i cili arriti që t’i shpëtoj aksionit të policisë, që ishte duke goditur bandën e trafikut të drogës dhe armëve. Arratisja e tij zgjati 15 ditë.

Shqiptari u kap në Brindisi, ndërsa ai ishte gati të hipte me një traget për në Shqipëri. Hetuesit tashmë kishin qenë në gjurmët e tij që nga 19 korriku, ditën kur u bënë arrestimet për 12 persona të tjerë që i përkisnin të njëjtës organizatë kriminale.

Falë një pune intensive të analizimit të së dhënave dhe kalimit të informacionit, skuadra e lëvizshme e Messinas, në bashkëpunim me policinë kufitare të Brindisit, e bllokuan Kacan ndërsa po drejtonte një automjet të transportit të pasagjerëve.

Hetimet

Përveç përfshirjes së drejtpërdrejtë në shpërndarjen e drogës në sasi të madha, të llojit kokainë dhe marijuanë, ndaj shqiptarit rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

30-vjeçari u transferua në burgun e Brindizit, ku do të mbahet në dispozicion të autoritetit gjyqësor që dha masën kufizuese “arrest me burg”.

Ndërkohë, kërkimi për dy shqiptarët e tjerë vazhdon.