OKB: Në Jemen mund të shpërthejë valë e re e kolerës

OKB tha se rastet e kolerës në Jemen janë rritur dhe paralajmëroi se për këtë arsye në këtë vend mund të fillojë një "dallgë e tretë e epidemisë"

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëroi se në Jeman mund të shpërthejë një valë e re e epidemisë së kolerës, e cila tanimë ka shkaktuar vdekjen e mbi dy mijë personave në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric, në një brifing ditor për media njoftoi se Zyra Koordinative e Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA) ka theksuar se rastet e kolerës në Jemen janë rritur, duke paralajmëruar se për këtë arsye në këtë vend mund të fillojë një “dallgë e tretë e epidemisë”.

Mbi 1,1 milionë raste të kolerës janë hasur në Jemen që nga prilli i vitit 2017, tha Dujarric, duke shtuar se 2.300 persona kanë humbur jetën nga kjo epidemi.

Ai shtoi se partnerët humanitarë të OKB-së kanë vaksinuar 385 mijë persona në qytetet e rrezikuara Ibb dhe Hudejde.

Ndryshe, Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.

Dhuna ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e tij shëndetësore dhe sanitare, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.