Një Kosovar mbytet në Velipojë

Sipas informacioneve të para, pushuesi është një 71-vjeçar i identifikuar si Qamil Bajrami, banues në Prishtinë.

Një i moshuar është mbytur këtë të shtunë në plazhin e Velipojës.

Sipas informacioneve të para, pushuesi është një 71-vjeçar i identifikuar si Qamil Bajrami, banues në Prishtinë.
Ai kishte ardhur me familjen për fundjavë në Velipojë, por pasi ka hyrë për t’u larë në det, nuk ka dalë më i gjallë.

Janë të shumtë pushuesit që kanë gjetur vdekjen në plazhin e Velipojës, veçanërisht nga Kosova.

Personat që fatkeqësisht kanë ndërruar jetë, kanë qenë në moshë, si në rastin e Qamil Bajramit, dhe shpesh shkaku kryesor i vdekjes së tyre ka qenë ataku kardiak, goditja në zemër si pasojë e kontaktit të menjëhershëm me ujin.

Në plazhin e Velipojës, gjithashtu mungojnë rojet bregdetare, prezenca e të cilëve do të shmangte rastet e shumta të mbytjeve, duke i pikasur rastet e rrezikut për t’i dhënë më tej ndihmën e parë pushuesve.

Këtë fundjavë në Shqipëri pati dyndje të pushuesve nga Kosova, fluks që u shënua menjëherë pas përfundimit të muajit të Ramazanit.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Paraprakisht dyshimet e para janë se të viktima mund të ketë pësuar infarkt gjatë kohës që ka hyrë në det.