Një dekadë e re pa Berishën

Nga Redi Shehu

Krejt papritmas, në mesin e debateve postelektorale, një postim në Twitter i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, shtangu të gjithë. Nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, ishte thjesht një mesazh i cili kujdesej të mos ishte diplomaik, dhe që dha një efekt të papritur duke shkundur të gjithë politikën dhe mediat e këtij vendi. Sali Berisha shpallet “non grata” nga Departamenti i Shtetit, e për pasojë ai dhe familjarët e tij e kanë të pamundur të hyjnë në territorin e SH.B.A-ve. Kjo është pjesa më pak e hidhur. Ajo që është më problematike është motivi i kësaj ndalese. Sipas twitterit te z. Blinken, ai akuzohet për “korrupsion domethënës” si dhe për favorizim të familjarëve të tij si dhe aleatëve në akte korruptive. E gjithë kjo ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, dhe menjëherë pasi Sh.B.A përmes Ambasadës së saj në Tiranë, njohu zgjedhjet si të ligjshme dhe të sakta.

Për herë të parë ne politikën e Shqipërisë, një emër kaq i madh si ai i z. Berisha, bëhet subjekt pozicionimi të qartë në krahun e kundërt nga ana e ndërkombëtarëve. Amerikanët surprizuan të gjithë me mënyrën sesi ata e nisën luftën me “peshqit e mëdhenj” duke e filluar atë nga më të mëdhenjtë drejt më të vegjëlve. Arsyeja e kësaj kronologjie, besoj se ka të bëjë me një mesazh të qartë që ata duan t’i dërgojnë shqiptarëve, se Shqipëria për ata është diçka krejt serioze dhe që gjërat duhet të bëhën ashtu siç në të vërtetë duhet të bëhen. I gjithë ky akt amerikan, ngjan me një sëpate të rëndë e cila godet dhe çan në dysh Partinë Demokratike, për arsye se z. Berisha është kolona kryesore e kësaj partie, dhe goditja e tij, çorienton të gjithë bazën e demokratëve drejt një qëndrimi tashmë të ri të një epoke postberishiste të selisë blu.

Shumë informacione qarkullonin që Berishës i ishte mohuar lëvizja drejt tokës amerikane prej shumë vitesh, por bërja publike tani, është interesante. Ngjan me një hakmarrje amerikane ndaj asaj që ka ndodhur gjatë gjithë vitit 2019 që me lënien e mandateve, trazirat si dhe me mospjesmarrjen në zgjedhjet lokale të po atij viti. Ky ndëshkim ndaj tij, është mënyra më direkte për të pohuar atë që të gjithë e kemi supozuar, dominancën e Berishës ndaj Partisë Demokratike dhe politikave të saj. Me këtë akuzë, Departmenti i Shtetit na tregon se arkitekti si dhe kyetari real i PD-së re është vetë z.Berisha. Ata nuk sulmuan qoftë edhe me një fjalë të vetme kyetarin ligjor të Partisë Demokratike Lulzim Bashën, i cili ka marrë përsipër juridikisht dhe politikisht të gjitha aksionet e papreçedentë të 2019-tës. Jo, ata goditën Sali Berishën për ta frenuar atë në politikat e demokratëve nga njëra anë, si dhe për të filluar distancimin e elektoratit ndaj tij, me idenë e një braktisjeje të mundshme. Kjo akuzë ndaj Berishës, e vë atë në një pozicion ekuivalent me Tom Doshin, i cili gëzon të njëjtin llagap nga Departamenti i Shtetit, atë të “korrupsionit domethënës”.

A mund ta kursente Departamenti i Shtetit te Sh.B.A- ve nje akt të tillë ? Po, unë them se po. Mund ta kursente vetëm në një rast, nëse z. Berisha do ta kishte mbyllur karrierën e tij si dhe do të kishte një rol simbolik në zhvillmet e selisë blu. Nëse ai do ta mjaftohej me kontributet e tija në demokracinë shqiptare si dhe së fundmi në bërjen e rrugës së kombit, atëhere nuk do kishte sens që figura e tij të përlyhej publikisht. Do ngelte në memorien politike shqiptare si njeri që ka bërë histori në një kohë të spikatur të ndryshimeve të mëdha.

Por jo, përzgjedhja e Berishës nuk mund të ishte e ndryshme nga ajo që ai është në të vërtetë. Nuk mund të mendohej që një njeri hiperpolitik si Berisha të mund të qëndronte në formatin “i pangazhuar”. Problemi nuk qëndron tek angazhimi, poblemi qëndron tek angazhimi në mënyrën dhe metodën e gabuar e cila në kohën e dekadës së re, tingëlloi jo vetëm arkaike, por edhe e rrezikshme për gjënë më të shtrenjte që ndërkombëtarët e veçanërshit amerikanët kanë, stabilitetin.

Përzgjedhja tjetër e gabuar e Berishës, është se ai zgjodhi të bënte aleat, të fundit që një konservator do të mund të bënte, Ilir Metën. Ashtu siç ky fundosi Partinë Demokratike në zgjedhjet e 2013-tës, ashtu edhe kësaj radhe ai tërhoqi në gropën e tij edhe vetë Berishën me të gjithë familjen. Që nga metodat politike e deri tek artikulimi politik, të gjitha tregonin për një gjë të vetme, unisonin me të cilët këta dy individë e kishin ndërtuar duetin e tyre politik, lajmotiv i të cilit ishte përplasja me çdo kusht për një fitore pa kusht. Mirëpo në gropën e Metës ra në fillim Berisha i cili, me të gjitha gjasat pritet të ndiqet menjëherë nga i pari sapo të zhvishet nga kostumi i ngrohtë i Presidentit.

Kjo që amerikanët po bëjnë pas sigurimit të zgjedhjeve te 25 Prillit, është një formë e rithemelimit të politikës shqiptare sipas mënyrës që ata kanë për rithemelimin. Domethënë, një rithemelim me mekanizma presioni të jashtëm me qëllim që të ndryshojnë nga brënda softin e politikës shqiptare të tranzicionit. A do jenë Berisha dhe Meta fundi i tranzicionit në Shqipëri? Kjo ka gjasa të ndodhë vetëm nëse këta përfaqësues të një epokë të caktuar marrin me vete edhe frymën dhe modelin të cilin ata instaluan për dekada në sallonet e errëta të politikës tonë.

Nga ana tjetër, bllokimi i Berishës dhe Metës, është dhënie në tepsi të fitores së Bashës, sepse Basha siç e kemi thënë, u duhet të gjithëve. Ai është lideri perfekt post tranzicion, i cili nuk trondit por edhe ndikon, që nuk frymëzon por edhe ndonjehërë fiton, që i bindet ndërkombëtarëve por edhe nuk trazon. Për me tepër në këtë dekadë ku pritet të ndodhin gjëra të mëdha për shqiptarët në Ballkan, politika shqiptare duhet të jetë sa më e qetë e sa më korrekte.
E ku ka me mirë se një Ramë pa Berishën dhe Metën, që me Lulin mund të ndërtojnë dekadën e re, atë të cilën akoma nuk e kemi marrë vesh?