Një akt i shëmtuar që priret të destabilizoje

Nga Redi Shehu

Që data 6 Dhjetor do të linte gjurmë në vëmendjen e të gjithëve, kjo as që nuk kishte fare diskutim, por, që të befasonte audiencat deri në atë masë sa të eklipsonte të gjithë ngjarjen më të rëndësishme politike, atë të Samitit BE- Ballkanit Perëndimior në Tiranë, këtë nuk e kishte imagjinuar askush. Pikërisht, në momentin kur i gjithë fokusi i secilit ishte përqëndruar tek koreografia e ngjyrave dhe estetikës me të cilën maxhoranca kishte përgatirur terrenin për këtë samit, një ngjarje e pazakontë dhe tepër e shëmtuar ndodhi. Kreu i Partisë Demokratike z. Sali Berisha u godit nga një individ me grusht në fytyrë duke i lënë këtij të fundit dëmtime jo të vogla. E gjithë ngjarja, e cila rrotullohej e përsëritur deri në budallallëk nga të gjitha mediat tona, krijoi një ndjenjë pështjellimi pse jo dhe frike rreth asaj që mund të ndodhte më pas. Siç edhe e pamë, z. Berisha arriti ta menaxhonte mire situatën dhe vazhdoi me axhendën e tij pavarësisht njarjes.

Një shtetas me emrin Gert Shehu, i cili sipas raportimeve të para, kishte probleme mendore për të cilat edhe kurohej, arriti që 6 Dhjetorin ta fuste në analet e politikës shqiptare si një nga ato ngjarje që të kthenin pas në fillimet e tranzicionit, thënë thjesht, një fluturim në të shkuarën tonë problematike. Ngjarja është e rëndë për shkak se u drejtua në dëm të një ish-presidenti, ish-kryeminstri dhe mbi të gjitha në dëm të një 78 vjeçari. Fatkeqësisht kjo ngjarje, përveç shumë preçedentëve negativë që hapi, riktheu edhe një herë pas kaq shumë vitesh e përpjekjesh në favor të fjalës kundrejt të dhunës, të rikthente dhunën si një mekanizëm i cili mund t’i mbivendoset fjalës. Herën e parë, këtë fenomen pas kaq shume vitesh e pamë me 8 Janar kur dhuna ishte prezente në selinë e Partisë Demokratike duke rrezikuar seriozisht jetët e njerëzve, dhe hera e dytë u manifestua me 6 Dhjetor.

Shumë prej nesh menjëherë bombarduan veten me pyetje të tipit se pse kjo ngjarje duhej të ndodhte atë ditë, apo edhe se kush ishte përfituesi më i madh i saj? Në një logjikë të thjeshtë, asnjëri nga liderët kundërshtarë nuk do të ishin përfituesit e kësaj ngjarjeje. Z. Rama nuk do të ishte i interesuari që kjo ngjarje të ndodhte pikërisht në ditën më të rëndësishme të tijën si politikan. Për herë të parë në historinë e vet, Bashkimi Evropian organizon një Samit për Ballkanin Perëndimor jashtë territorit të vet ne Ballkan dhe ekzaktësisht në Shqipëri. Gjithkush po të ishte në vendin e kryeministrit Rama, do të ndjehej jo vetëm në lartësinë e maleve por edhe do të bënte çmos që ashtu siç bllokoi makinat, edhe mizat të mos cënonin spektaklin e ngjyrave dhe estikës shqiptare. Kjo, karshi liderëve evropianë të cilët estetikën e kanë “fe” të tyren. As z. Berisha nuk do të donte që kjo ngjarje të ndodhte, sepse ai për shkak të organizmit të një proteste shumë te debatueshme në një ditë të rëndësishme për Shqipërinë, ishte i komplekuar nga frika e çdo të papriture në ditën më të gabuar, e cilat do ta ngarkonte atë politikisht me një barrë të rëndë karshi shqiptarëve.

Po atëhere pse ndodhi? Përse në datën 6 Dhjetor dhe jo në qindra shfaqje publike të z. Berisha në hapësirat publike? Këtu duket se marrin udhë dy deduksione logjike. I pari ka të bëjë me faktin që sulmuesi është një njeri me probleme psiqike dhe vetëm një njeri me probleme psiqike mund të ndërmarrë një akt të tillë i cili rrezikon seriozisht jetën. Për këtë, kemi disa fakte që përmblidhen në dëshminë e lëshur nga mjeku personal i cili thotë se personi në fjalë ka që nga viti 2018 që kurohet vazhdimisht tek ai. Po ashtu, janë disa vepra penale të regjistruara në organet e rendit të cilat tregojnë se Gert Shehu ka ushtruar dhunë të vazhdueshme si pasojë e çekuilibrimit mendor.

Deduksioni i dytë, na bën të mendojmë se akti i dhunës është porositur nga një palë e tretë. Pra, meqë të dy liderët si z. Rama dhe z. Berisha nuk ishin të interesuar të prishnin planet e tyre me datë 6 Dhjetor, për arsyet që thamë më sipër, atëhere i bie që një pale e tretë të jetë e interesuar në këtë lojë. Po kush mund të jetë kjo pala e tretë ? Ne nuk kemi prova akoma për të vërtetuar deduksionin e dytë, por bazohemi thjesht në një linjë logjike e cila na thotë që pala e tretë mund të jenë shërbime inteligjente të huaja kryesisht të vendeve aspak miqësore me ne, të cilët kanë gjetur datën dhe kohën e duhur për të shkaktuar një konflikt politik e më pas edhe civil mes shqiptarëve. Për ta bërë këtë, formula është e njohur, gjej një njeri me probleme psiqike, përdorues të drogerave si dhe të dhunshëm.

Akuzat e opozitës se këtë e ka bërë Rama, duken jo vetëm pa një linjë logjike por edhe sempliste të motivuara thjesht për konsum politik. Është pikërisht këtu që duhet të hyjë në lojë përgjegjshmëria si dhe pjekuria e liderëve tanë kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla. Në vend që të presin me durim rezultatet e hetimeve, ata vrapojnë të bëjnë deklarat të cilat ndezin edhe më shumë atmosferën përcëlluese politike duke rrezikuar seriozisht destabilitetin e vendit. Nje klasë politike e përgjeshme, tregohet e pjekur dhe e kujdesshme që gjërat të mos precipitojnë në nivele të tilla alarmante sa të shkaktojnë një konflikt social me pasoja të paparashikueshme.

Z. Rama nuk kishte fare nevojë të porosiste sulmin ndaj kryetarit te opozitës, sepse ishte vetë protesta e organizuar prej këtij të fundit dhurata më mirë elektorale që i bënte kryeministrit në atë dite, kështu që nuk kishte fare nevojë të godiste opozitën kur të gjitha mediat ndërkombëtare ishin në Tiranë. Një sulm i pozitës ndaj opozitës në sy të këtyre mediave do të thoshte një akt vetvrasjeje politike për maxhorancën. Prandaj, narrativa opozitare është krejt pa sens. Mos të harrojmë se në protestën e datës 12 Nëntor, z. Berisha e shpalli Ramën armik të tijin. Ky cilësim është motivi përfekt për këdo që do të donte që në Shqipëri destabiliteti të ulej këmbëkryq në kohën kur e gjithë bota ndjehet e destabilizuar për shkak të luftës në Ukrainë, dhe ne si shqiptarë kemi shumë armiq që do ta donin këtë gjë me gjithë shpirt. Ja pse është shumë e rëndësishme që opozita të tregojë pjekurinë e duhur politike dhe të kontribuojë në gjënë më të rëndësishme që ka një vend, stabilitetin dhe prosperitetin. Nëse në 12 Nëntor deklarohej se nuk do të ketë më stabilitet dhe siguri në Shqipëri nëse cënohet vota, kjo gjuhë e politikë sonë, është melodi për armiqtë e shumtë që na rrethojnë.