Nesër nis viti i ri shkollor, prindërit peticion kundër mësimit me turne

Me masa anti Covid të hënën rreth 480 mijë nxënës pritet të nisin vitin e ri shkollor. Mbi 30 mijë prej tyre do të ulen për herë të parë në banka. Mësimi do të zhvillohet  me një deri në katër turne ndërsa orët do të zgjasin nga 25 deri në 45 minuta në varësi të kapacitet të shkollës.

Skenarët e kushtëzuar nga pandemia kanë hasur në kundërshtimin e prindërve.

“Thuaj jo mësimit  me turne në shkolla” është peticioni që po qarkullon online.  Deri mesditën e të dielës ai  është nënshkruar nga rreth 2600  prindër dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të rishikojë vendimin.

 “Fëmijët kanë nevojë t’i kthehen normalitetit. Mësimi me turne dhe orar të shkurtuar nuk është i përshtatshëm për edukimin e vazhdueshëm. Ky proces nuk ka rezultuar efektiv dhe është vit i tretë që po aplikohet duke shkaktuar lodhje te fëmijët dhe mësuesit. 

Ndërkohë që në të gjithë fushat e tjera , jeta vazhdon normalisht, përse duhet të aplikohen masa të shtuara vetëm në shkolla? Fëmijët kanë risk minimal dhe mësuesit shumica janë imunizuar ose vaksinuar. I bëjmë thirrje ministrisë të rishikojë vendimin dhe t’i kthehemi normalitetit.”

Ndërkohë ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale ka uruar nxënësit për nisjen e vitit  të ri shkollor dhe i ka këshilluar të zbatojnë masat anti Covid.

Më i vështirë ky vit me kushtet e pandemisë duket se do të jetë në shkollat e Tiranës ku pritet të nisin mësimin rreth 75 mijë nxënës. /Abcnews.al