Në Ulqin organizohet Festivali tradicional folklorik ”Dolcinium International Festival”

Përndryshe Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, afaristët, OJQ “Porta di Danza”, organizojnë për herë të peste festivalin folklorik Dolcinium International Festival, i cili do të mbahet prej 21 deri më 24 qershor 2018...

Temperaturat e larta dhe uji i ngrohtë i detit bëjnë që nga dita në ditë të rritet numri i turistëve në bregdetin e Ulqinit.

Te dhënat e para sipas drejtorit të organizatës turistike të Ulqinit, Fuad Haxhibeti flasin se numri i mysafirëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje dhe kjo sipas tij është rezultat i prezantimit të ofertës turistike nëpër Panaire turistike si dhe prezenca e kompanisë Karsima në Ulqin, e cila për të parën herë këtë vit ka sjellë një numër të madh të turistëve nga Evropa perëndimore.

Ajo që bie në sy nga sezoni në sezon,- thotë për Zërin e Turqisë z. Haxhibeti,- është rritja gjithnjë e më shumë e turistëve nga Turqia, të cilët në kuadër të tureve në vendet e Ballkanit kalojnë dy-tre ditë edhe në Ulqin.

Përndryshe Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, afaristët, OJQ “Porta di Danza”, organizojnë për herë të peste festivalin folklorik Dolcinium International Festival, i cili do të mbahet prej 21 deri më 24 qershor 2018. Qëllimi i këtij manifestimi është prezantimi i kulturës dhe folklorit, vlerave të Ulqinit dhe rajonit në një vend, dhe të gjithë qytetarët dhe turistët që gjenden në Ulqin do të kenë mundësinë të kënaqen me veshjet kombëtare, me folklorin, muzikën e vendeve të ndryshme.

Tashmë është bërë traditë që ky aktivitet të fillojë me parakalimin e grupeve pjesëmarrëse folklorike nëpër rrugët e qytetit të Ulqinit. Grupet folklorike shpalosin repertorin e tyre të këngëve, valleve dhe veshjeve në koncertin kryesor, i cili do të zhvillohet në shëtitoren e plazhit të vogël të Ulqinit.

Dolcinium International Festival, tashmë ka një karakter tradicional sepse po mbahet për të pestin vit me radhë, dhe këtë vit marrin pjesë grupet folklorike nga Ukraina, Turqia, Kroacia, Rumania, Sllovakia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.